Nxënës shqiptarë e maqedonas mësojnë kulturat e njëri-tjetrit në të njëjtën klasë - Foto: Rtv21

Nxënësit Shqiptarë e Maqedonas në Banka të Përbashkëta

Mbase duket utopike por është realitet.

Kjo është një orë mësimi ku nacionaliteti nuk është pengesë por urë lidhëse.

Gjysma janë maqedonas, gjysma shqiptarë, janë të vegjël dhe mësojnë në të njëjtën shkollë, pa pasur etiketime etnike.

Shkolla fillore “Toli Zordumiz” nga Kumanova duket se ka gjetur formulën e harmonisë ndëretnike në bankat shkollore.

Fëmijët e kësaj shkolle një herë në javë mbajnë mësim të përbashkët mes nxënësve shqiptar dhe maqedonas, për të mësuar më shumë për kulturat e njërit tjetrit, dhe për t’u mësuar të jetojnë në harmoni.

“Ne një kohë të gjatë bashkëpunojmë mes vete me kolegët, kemi programe të përbashkëta, mësim të përbashkëta, pjesëmarrje të përbashkëta në patrionate etj. Nxënësit para së gjithash krijojnë shoqëri të mira mes vete, njoftohen me kulturat, ne me kulturën shqiptare, shqiptarët me kulturën tonë, bisedojmë luajmë lojëra, është shumë mirë”, tha Liljana Petkovska, mësuese.

“Kjo për fëmijët është diçka shumë e mirë, e pëlqejnë sepse kanë dëshirë që edhe ata të shoqërohen mes vete me nxënësit e etnitetit maqedonas…Qëllimi është që nxënësit shoqërohen, njihen me kulturat e tjerëve, mësojnë për festat që festohen”, tha Borëbardha Fazliu, mësuese, shkruan TV21.tv

Kjo mënyrë e funksionimit e kësaj shkolle ka sjellë edhe rezultatet e veta.

Nga viti i kaluar klasat janë të renditura një me mësim në gjuhë shqipe një në gjuhë maqedonase, ndërsa falë edhe aktiviteteve ndëretnike, kjo shkollë nuk ka regjistruar tashmë 1 vit incident ndëretnik.

Psikologia e shkollës thotë kohëve të fundit nxënësit nuk shohin njëri tjetrin si shqiptar dhe maqedonas.

“Në fillim kishim probleme të cilat për fat të keq disa herë ishte e nevojshme ndërhyrja e policisë dhe punëtorëve social. Ajo ishte ndoshta një periudhë e përshtatjes, ndërsa mund të them se tani jam e lumtur sepse tashmë nuk kemi aso probleme dhe tashmë nuk shikohen zënkat mes nxënësve në baza kombëtare, si më parë”, tha Vesna Dimitrievska, psikologe në SH.F. “Toli Zordumis”.

Shkolla fillore që ndodhet në një lagje me kombësi të përziera është duke u marrë si shembull pozitiv dhe është një nga shkollat më të suksesshme se si duhet të funksionojë një shkollë multi etnike.

“Tani kemi përzier gjithë shkollën, një klasë maqedonase, një klasë shqiptare, i kemi përzier paralelet, në ndërrimin tjetër klasën që mësojnë nxënës shqiptarë, do të mësojnë nxënës maqedonas e kështu me radhë. Qëllimi është që sa më shumë të forcohet shoqëria sepse vet lagja është e përzier”, u shpreh Mile Jordanovski, drejtor i shkollës.

Shkolla fillore “Toli Zordumis” është ndërtuar në vitin 1962, ndërsa qysh nga dita e parë e punës, në këtë shkollë mbahet mësim në dy gjuhë.

Shkolla tani numëron rreth 600 nxënës me rreth 300 nxënës që mësojnë në gjuhë maqedonase dhe 300 që mësojnë në gjuhë shqipe./21Media

22 Janar 2018 - 23:49

RTV 21 22/01/2018 - 23:49
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend