Nxënësit Shënojnë Ditën e Librit dhe të Autorit

Nxënës të shkollave fillore Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Elena Gjika dhe Meto Bajraktari kanë recituar dhe kanë lexuar në sallën kryesore të Bibliotekës Kombëtare në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit.

Tema të shumta si libri, leximi, frika, përrallat, kombi u trajtuan nga krijimet letrare të tyre. Ndërsa, nxënës të klasave të dyta kanë recituar poezi për gjuhën shqipe.

Ramize Bajraktari, udhëheqësja e Departamentit të Arsimit Bibliotekar në Bibliotekën Kombëtare shpjegoi për nxënësit origjinën e Ditës së Librit dhe të Drejtave Autoriale.

“UNESCO e shpalli një ditë ndërombëtare të librit “pasi u mor në konsideratë fakti se libri ka qenë, historikisht, instrumenti ,më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e njohurive për arsye se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është faktor i pasurimit të kulturor”, tha Bajraktari

“Kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij, dhe për të inkurajuar të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e leximit dhe të respektojnë kontributin e pazëvendësueshëm që kanë dhënë krijuesit (autorët e librave)”, shtoi udhëheqësja e DAB.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë, Hatmane Demiri, tha se shkrimtarë të shumtë të cilët kanë thënë që “njeriu vdes atë ditë që nuk lexon”.

Ajo bëri thirrje që të lexohet sa më shumë, që të përdoren e vizitohen sa më shumë bibliotekat dhe hapësirat e leximit.

Po ashtu, Demiri deklaroi se duhet të bëhen fushata e përgjithshme për leximin.

“Unë besoj se me një sensibilizim të tillë të gjitha shkollat, të gjithë ne edhe akademia të bëjnë thirrje sa më shumë të lexojmë sepse shteti nuk ec përpara pa lexim, pa dije dhe pa njohuri”, tha ajo.

Ndërkaq, në fund të këtij organizimi nxënësve ju dhuruan libra nga zyrtarët e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, të cilët i’a prezantuan fëmijëve edhe ambientet e bibliotekës.