Nxënësit-Lodhje dhe Dhimbje nga Çantat e Rënda

Për herë të parë në Kosovë është bërë matja e peshës së çantës së fëmijëve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, nga Instituti EdGuard, me qëllim që të ofrohen të dhëna për ndikimin e kësaj peshe në shëndetin e nxënësve.

Si rezultat i këtij hulumtimi ka dalë se pesha e çantave te fëmijët e ciklit të ulët tejkalon kufizimin e rekomanduar prej 10 për qind të peshës së trupit.

Besart Alshiqi, menaxher i projektit të Institutit EdGuard, tha se peshat e rënda të çantave shkaktojnë dhimbje dhe lodhje te fëmijët.

“Shqetësim kryesor janë pesha e cila tejkalon 10 përqindëshin e peshës së trupit të tyre, dhimbja dhe lodhja që përjetojnë fëmijët e cila sjell edhe tek mospërqendrimi i tyre në mësim, si dhe mungesa e aktiviteteve fizike veçanërisht në shkollë”, tha Alshiqi.

Ai tregoi se pjesë e këtij hulumtimi kanë qenë 275 nxënës, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta.

Hulumtimi është bërë për pesë ditë, duke matur së pari peshën dhe gjatësinë e fëmijëve, e më pas edhe peshën e çantave dhe librave të tyre.

Instituti EdGuard dha edhe rekomandime si të zvogëlohet pesha e çantave, duke kërkuar që shkollat të pajisen me dollapë, por edhe të shtohen orët e edukatës fizike dhe të kontrollohet mbarëvajtja e kësaj lënde.

Në rekomandime u përfshinë edhe reduktimi i detyrave të shtëpisë, trajnimi i mësimdhënësve për orë më të efektshme dhe  rishikimi i teksteve shkollore.

Lah Nitaj, këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e pranoi se librat për një kohë të gjatë nuk janë rishikuar.

“Për 15 vjet nuk kemi pasur një shqyrtim apo analizë të tyre që nga përmbajtja, saktësitë shkencore, tematika, gjuha dhe mesazhet që transmetohen në këto libra. Jam koshient për këtë. Janë rishikuar rreth 90 tituj shkollorë dhe është debatuar se a duhet të krijohet kurikulë e re, mirëpo ka qenë vendim i ministrit që edhe për një vit nuk do t’i ndërrojmë tekstet shkollore”, tha Nitaj.

Besa Shahini, nga organizata “Pneumi për Arsim”, tha se sipas një studimi nga UNICEF-i 56 për qind e fëmijëve nuk kanë libra të tjerë në shtëpi, por edhe shumica e shkollave nuk kanë biblioteka, andaj sipas saj, është shumë e rëndësishme se çka saktësisht po u servojmë fëmijëve.

“Procesi i krijimit të teksteve që përdoren sot në shkolla ka qenë shumë i shpejtë, mesatarisht është shkruar për tre muaj një libër. Prej hulumtimeve që i kemi bo në Zvicër edhe në Kanada një libër i mirë merr mesatarisht një vit deri në dy dhe dikund tre deri në katër autorë me bashkëpunëtorë të tjerë 25 deri në 50”, tha Shahini.

Gjatë diskutimeve u tha se është themeluar këshilli për tekste shkollore i cili planifikon që lëndët e shkencave t’i marrë nga shtete të tjera pasi që nuk ndryshojnë shumë, ndërsa kujdes të veçantë duhet pasur në shkrimin e teksteve shkollore veçanërisht për lëndët: gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi.

Në shtator të vitit 2015 ministri i Arsimit Arsim Bajrami kishte thënë se nëpër shkolla do të ndërtohen rafte për libra për të lehtësuar peshën e çantave të nxënësve.

http://kallxo.com/15-milione-euro-per-te-lehtesuar-cantat-e-nxenesve/