Heqja e grafiteve të urrejtjes nga muret e qytetit të Gjilanit. Foto: OSBE

Nxënësit e Gjilanit Shlyejnë Grafitet e Urrejtjes nga Muret e Qytetit

Një grup prej 30 nxënësve nga komuniteti shqiptar, serb, turk dhe rom në komunën e Gjilanit morën pjesë në një aktivitet për t’i larguar muralet me përmbajtje të urrejtjes në tri lokacione të ndryshme të qytetit.

Ngjarja është organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe qëllimi i saj, sipas misionit, ka qenë që të rritet vetëdijesimi kundër mbishkrimeve që ngjallin urrejtje dhe për ta rritur komunikimin dhe mirëbesimin mes komuniteteve.

Gjatë kësaj ngjarjeje, oficerë të Policisë së Kosovës u kanë shpjeguar pjesëmarrësve pasojat e grafiteve me përmbajtje të urrejtjes, meqë akte të tilla “ndikojnë negativisht në shoqëri dhe janë të ndaluara me ligj”.

Aktiviteti është mbështetur edhe nga komuna e Gjilanit e cila ka ofruar pajisjet e punës.