Kryesuesi i KGJK_së duke votuar | Foto: KALLXO.com

Nuk Zgjidhet Kryetari i Gjykatës në Gjilan

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk u arrit të zgjidhet kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, edhe pse për këtë pozitë konkurruan katër kandidatë.

Megjithëse u vlerësua më së shumti nga kandidatët për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, kryetari aktual i kësaj gjykate Zyhdi Haziri nuk e fitoi mandatin e tij tjetër.

Për Hazirin votuan vetëm katër nga anëtarët e pranishëm të KGJK-së, ndërsa pesë anëtarë të tjerë abstenuan.

Kur kandidati më i vlerësuar nuk zgjidhet, sipas rregullave të KGJK-së kalohet në votimin e të dytit në listë që për Gjykatën Themelore të Gjilanit ishte Naser Maliqi.

Por as Maliqi nuk u zgjodh pasi mori votat pro të vetëm dy anëtarëve të KGJK-së, katër votuan kundër, ndërsa 3 abstenuan.

Votat e nevojshme për të qenë në krye të Gjykatës në Gjilan nuk i mori as kandidati i tretë Aziz Shaqiri.

Për Shaqirin votuan dy anëtarë të KGJK-së, dy ishin kundër, ndërsa pesë abstenuan.

Kryetar i Gjykatës së Gjilanit num mundi të zgjidhej as Veli Kryeziu pasi kundër kësaj zgjedhjeje votuan tre anëtarë të KGJK-së derisa gjshtë të tjerë abstenuan.

Pasi nuk u arrit zgjedhja e kryetarit të Gjykatës në Gjilan, Këshilli Gjyqësor i Kosovës me 9 vota për vendosi të rihapet konkursi për këtë pozitë.

Afrim Shalës, ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës në Gjilan iu vazhdua ky mandat.