Nuk Zgjedhen Zëvendësit e Avokatit të Popullit

Anëtarët e Komisionit patën pakënaqësi sa i përket propozimit të Avokatit të Popullit për zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Sipas tyre, ligji kërkon që së paku një nga të përzgjedhurit të jetë nga komunitetet jo-shqiptare dhe një grua.

Mirëpo nga 10 emra sa ishin propozuar nga Avokati i Popullit, vetëm një prej tyre ishte nga komunitetet, e që i bie se anëtarët e komisioni nuk kishin zgjidhje tjetër pos që të votojnë për të.

Andaj komisioni me shumicë votash votojë që kjo çështje të shkojë në seancë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që ky propozim i Avokatit të Popullit të kthehet edhe njëherë në institucionin e tij.

Deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq e ka cilësuar si një gabim procedural këtë propozim.

Kryesuesja e komisionit, Lirije Kajtazi ka kërkuar disa herë ndihmë dhe interpretim ligjor nga zyrtari i Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës që ishte i pranishëm në mbledhje të Komisionit.

10 kandidatët e propozuar nga Avokati i Popullit për pozitën e zëvendësit të tij janë: Albert Avdiu, Akeksandra Dimitrieviq, Majlindë Sinani Lulaj, Veton Vula, Murlan Prizreni, Mehdi Geci, Basri Berisha, Baki Sfishta, Afërdita Rexha dhe Naile Alaj.