Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Nuk vjen në Gjykatë e akuzuara për lajmërim të rremë në Polici

Seanca fillestare në rastin e të akuzuarës Florjana Dana nuk u mbajt për shkak se ajo nuk erdhi në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

E dyshuar për veprën penale të lajmërimit apo kallëzimit të rremë ndaj të dëmtuarës Teuta Sahitaj, Florjana Dana do të përballej me akuzat e Prokurorisë, të përfaqësuar nga prokurorja Mone Syla.

Gjykata kishte pranuar një parashtresë nga ana e të akuzuarës me propozimin që të shtyhet gjykimi.

Parashtresa përmbante arsyen e mospranisë së saj në Gjykatë. Ajo ishte arsyetuar se kishte kontroll mjekësor te specialist i Neurologjisë. Ajo ia ka bashkangjitur parashtresës edhe raportin mjekësor të doktorit Agron Këpuska.

Sipas aktakuzës, më 16 korrik të vitit 2017, në stacionin policor në Gjakovë përmes telefonit bën lajmërim të rremë te personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur, se personi i caktuar ka kryer veprën penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, duke e ditur se personi i tillë nuk është kryerësi, në atë mënyrë që kinse është sulmuar fizikisht nga e dëmtuara Teuta Sahitaj.

Si pasojë e këtij sulmi kishte pësuar lëndime trupore, ndërsa pas veprimeve hetimore të Policisë është vërtetuar se ky lajmërim kishte qenë i rrejshëm, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Gjakovës.

Me këto veprime e akuzuara dyshohet se ka kryer veprën penale të deklarimit të rrejshëm.

Gjyqtari Mentor Bajraktari shtyu seancën për datën 8 qershor.