Salla e mbledhjeve | Foto: Kuvendi i Kosovës

Nuk Kalon Rezoluta për Mihjen e Sibovcit

Interpelanca e Kryeministrit Mustafa rreth shfrytëzimit të thëngjillit në Mihjen e Sibovcit nuk përfundoi me miratimin e rezolutës së propozuar për këtë çështje.

Donika Kadaj-Bujupi që kishte ftuar bashkë me 15 deputetë nënshkrues Isa Mustafën në këtë interpelancë e kishte propozuar një rezolutë me katër pika që sipas saj do të mundësonin shfrytëzimin pa probleme të thëngjillit në këë mihje.

Por rezoluta nuk ka loi në Kuvend, pasi pro saj votuan vetëm 19 deputetë, derisa 34 ishin kundër, ndërsa 7 abstenuan.

Rezoluta kërkonte që Qeveria e Kosovës brenda tre muajsh ta lirojë zonën e veçantë të mihjes nga ndërtimet e jashtëligjshme.

Në rezolutë kërkohej realizimi i planit nga ana e agjencive qeveritare për largimin e të gjithë sasisë së djerrinës nga fronti i shfrytëzimit të thëngjillit jo më  vonë se 6 muaj.

Pika e tretë e rezolutës kërkonte themelimin e korporatës publike e thëngjillit së cilës do t’i barteshin ekskluzivisht të gjitha licencat për hulumtim dhe shfrytëzim të thëngjillit në Kosovë.

Në rezolutë kërkohej përgjegjësi edhe për të gjithë ata “që kanë penguar zgjerimin e minierës, e deri te ata që e kanë ndryshuar kahjen e zgjerimit të saj”.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë diskutimeve kishte thënë që disa nga pikat e kësaj rezolute janë të panevojshme, pasi është duke u shkuar në drejtimin që parashihet me to.