Foto: Facebook

Nuk Ka të Arrestuar për Vjedhjen në Zyrat e VV-së

Për vjedhjen në zyrat e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Vushtrri ende nuk ka të arrestuar.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com Fexhrie Pllana nga policia në Mitrovicë.

“Deri më tani nuk ka të arrestuar, ndërsa policia është duke e hetuar rastin”, tha Pllana.

Lëvizja “Vetëvendosje” njoftoi sot se mbrëmë janë thyer zyrat e saj në Vushtrri.

“Zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri janë thyer mbrëmë gjatë natës. Aty janë vjedhur kompjuterët, televiziori, por çka e bën me të dyshimtë këtë akt është fakti se janë vjedhur dokumente të zyrës dhe janë lënë mbishkrime”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosjes”.

“Vetëvendosja” në reagimin e saj këtë thyerje të zyrave e konsideroi sulm politik.

“Thyrja e zyreve të një subjekti politik është sulm politik. Pushteti që po dështon përditë me qeverisje, u është kthyer atyre që di më së miri: veprimeve të dhunshme të natës”, vijon komunikata e “Vetëvendosjes”.

Edhe policia tregoi për KALLXO.com se në zyrat e “Vetëvendosjes” në Vushtrri janë vjedhur tri shtëpiza kompjuterësh, dy printerë dhe një televizor plazma.