Teatri Kombetar - Foto: Atdhe Mulla.

Nuk Ka Ngrohje, Teatri Kombëtar Anuloi Disa Shfaqje

Teatri Kombëtar i Kosovës ka anuluar për dhjetë ditë shfaqjet e planifikuara.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi, tha për KALLXO.com se janë detyruar ta marrin këtë vendim për shkak të mungesës së naftës për ngrohje të objektit.

“Qe nja 10 ditë ne e patëm ndërprerë krejt aktivitetin në Teatrin Kombëtar dhe janë anuluar 6 apo 7 shfaqje”, tha Sopi për KALLXO.com.

Tek pas dhjetë ditësh, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pra ditën e martë, ka furnizuar Teatrin me naftë, sasia e së cilës mjafton për ngrohje vetëm për disa javë.

“Mbrëmë na kanë sjellë naftë dhe kemi filluar punën. Mbrëmë kemi mbajtur shfaqjen e parë pas dhjetë ditësh. Na i kanë sjellë 2 mijë litra naftë, që do të thotë një javë apo dy mund të funksionojmë ne si Teatër”, deklaroi Sopi.

Drejtori dhe regjisori Sopi tregoi se ka bërë kërkesa për kyqjen e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës në ngrohjen qendrore, por thotë se nuk ka gjetur mirëkuptim nga përfaqësuesit e institucioneve vendore.

“Unë personalisht kam bërë tri kërkesa për kyqje në Ngrohtore të qytetit dhe kanë ngelur diku rrugëve. Zakonisht faji është hedhur jo s’po len Komuna, jo nuk po do Ministria e Kulturës, jo nuk po do ‘Termokosi’, domethënë secili-secilit ia hedh fajin. Thjesht nuk ka pasur vullnet të realizohet një punë e tillë, edhe pse ne kemi insistuar”, deklaroi ai.
Sopi tha se është në interes që objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës të kyqet në sistemin e Ngrohtores së qytetit për shkak se kursehen 50 mijë euro në vit.

“Mbi 60 mijë euro në vit ne i shpenzojmë naftë për t’u ngrohur. Sikur të lidheshim në Ngrohjen e qytetit unë nuk besoj që kjo shumë mund ta kalojë 10 mijë euro. Është gjynah ne të abuzojmë me 50 mijë euro ku me këtë shumë ne i bëjmë dy projekte për teatër, gjysmën e repertorit”, tha Sopi.

Drejtori Sopi tha se mungesa e ngrohjes ka ndikuar në shtyrjen e projekteve teatrale.

“Një pjesë kryesore të aktivitetit e zhvillojmë nga shtatori deri kah fundi i marsit dhe krejt kjo periudhë do ngrohje. Do ngrohje për punë, do ngrohje për shfaqje. Kërkush nuk vjen i pështjellur me kapota dhe shalla që mërdhihen në shfaqje. Aq më pak aktorët e shkretë”, deklaroi Sopi.

Drejtori shprehet optimist se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta furnizojë me kohë Teatrin Kombëtarë të Kosovës me naftë me qëllim që ai të funksionojë në mënyrë normale.