Nuk Dëshmon në Gjykimin e Burrit

Lavdije Simnica ka shfrytëzuar të drejtën për të mos dëshmuar në gjykimin ndaj bashkëshortit të saj, Qamil Kastrati, të cilin Prokuroria Themelore e Prishtinës e akuzon për kryerje të grabitjes bashkë me një person ende të panjohur për organin e ndjekjes.

Në seancën e djeshme në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte paraparë të dëshmonte edhe bashkëshortja e të akuzuarit, të cilët megjithatë nuk kanë kurorë. Por, pasi që gjyqtarja e njoftoi se sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka të drejtë të mos dëshmojë në këtë proces gjyqësor pasi është bashkëshortja e të akuzuarit, ajo e shfrytëzoi këtë të drejtë, megjithëse u qëndroi besnike deklaratave të dhëna më parë.

Seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalës përfundimtare nga përfaqësuesi i palës akuzuese dhe nga avokati mbrojtës.

Me këtë rast, prokurorja mbeti në tërësi pranë aktakuzës dhe i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Fjalën përfundimtare avokati e kishte bërë me shkrim dhe teksa u përpoq që një kopje t’ia jepte gjykatës dhe një prokurores, kjo e fundit refuzoi ta pranonte.

Sipas avokatit, provat e ofruara nga prokuroria nuk vërtetojnë fajësinë e të mbrojturit të tij, prandaj kërkoi që i akuzuari të shpallët i pafajshëm në mungesë të provave.

Gjykata e shpall sot (e martë) aktgjykimin.

Qamil Kastrati akuzohet nga prokuroria për dy vepra penale: për grabitje dhe për armëmbajtje pa leje.

Ai akuzohet se më 2 gusht 2010, rreth orës 00:40, në fshatin Llapushnik, komuna e Drenasit, në vendin e quajtur “Boka”, në bashkëkryerje me personin e panjohur, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, duke përdorur dhunën dhe nën kërcënimin e pushkëve automatike e me maska në kokë, kanë vendosur barriera në rrugë ku i dëmtuari Fatmir Sopa, së bashku me bashkëshorten e tij dhe me vajzën e tyre kanë ardhur me makinën të cilën e drejtonte i dëmtuari dhe në ato momente janë afruar i pandehuri Qamil Kastrati dhe personi i panjohur nën kërcënimin e armës të dëmtuarit i marrin një telefon të tipit “Nokia”, kuletën në të cilën gjendeshin 250 euro, një patentë shoferi zviceran dhe dy kartela të bankës, si dhe 2 letërnjoftimet e tyre.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2014, KALLXO.com ka raportuar rreth këtij gjykimi, kur edhe kishte dëshmuar SH.S., një prej të dëmtuarve të rastit të grabitjes së pretenduar.

http://kallxo.com/gjykim-per-grabitesin-e-te-kthyerve-nga-dasma/