Njëri Pranon Fajësinë, Tjetri Mbrohet në Heshtje (TV)

Në objektin e Gjykatës Supreme të Kosovës, të mërkurën u zhvillua shqyrtimi kryesor kundër Ismailoviqit e Demirit, shtetas të Maqedonisë me etni shqiptare, të cilët në Kosovë po akuzohen për armëmbajtje pa leje në bashkëkryerje, veprim për të cilin mund të dënohen nga 2 deri në 10 vjet.

Ismailoviq e pranoi fajësinë, kurse Demiri vendosi të mbrohet në heshtje.

Ismailoviq e Demiri u kapën gjatë muajit mars nga policia e Kosovës, në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës.

Në dispozicion të të arratisurit, tash të akuzuar, policia gjeti dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë.

 “I njëjti ka shpjeguar se këtë arsenal e ka mbajtur me qëllim që të mbrohet nga shërbimet sekrete maqedonase, të cilat kam dëgjuar se veprojnë dhe në Kosovë”, tha avokati Veton Rrecaj, përfaqësues i Afrim Ismailoviqit.

Avokati Rrecaj gjatë fjalës së tij përfundimtare deklaroi se i mbrojturi i tij ka frikë dhe nuk u beson organeve të Maqedonisë.

Kurse avokati Besnik Berisha, përfaqësues i Alil Demirit kërkoi nga paneli që heshtja e të akuzuarit të mos trajtohet kundër tij dhe se ai ka ikur nga padrejtësia që i kanoset nga shteti maqedonas, lidhur me një krim makabër që nuk e ka kryer.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë. Banesat ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për autoritetet maqedonase, Ismailoviq dhe Demiri janë të dyshuar për vrasjen e shumëfishtë pranë hekuranës së Shkupit, të ndodhur në vitin 2012, ku u gjetën të vrarë 5 persona të etnisë maqedonase, gjë që më pas kishte tensionuar raportet ndëretnike në këtë vend.

Kundër të dyshuarve për këtë vrasje të shumëfishtë në Maqedoni është duke u mbajtur procesi gjyqësor, i njohur me emrin “Monstrum”.