“Njeri-ngrënia” Politike Zhvendoset në Kozmos

Shfaqja “Në Det” me regji të Bashkim Ramadanit dhe tekst të Slawomir Mrazhek-ut që do të jepet premierë nesër në orën 21:00, ka tre personazhe- të trashin, të hollin dhe të mesmin, të mbetur në det të hapur, njëri nga të cilët duhet të bëhet ushqim për dy të tjerët.

Përmbajtjen e shfaqjes e tregoi regjisori Bashkim Ramadani.

“Teksti e ka të njëjtën përrallë-tre persona që kanë përfunduar dikund në det dhe kanë mbetë pa ushqim dhe në pamundësi më gjet diçka me hangër vendosin me e hangër njëri-tjetrin,” tha ai.

Ramadani deklaroi se regjia ka qenë një punë e vështirë pasi që teksti ka një temë absurde dhe të thellë.

Mirëpo ngjarja e shfaqjes së Ramadanit nuk zhvillohet në det si në tekstin e Mrazhek-ut, por regjisori shfaqjen e tij që thumbon politikën e ka zhvendosur në kozmos.

“Demokracia nuk po funksionon, diktatura është e papranueshme, duhet me gjet diçka,” thotë “Mesi”, personazhi që luhet nga aktori Ernest Zymberi.

Zymberi, shfaqjen përveç absurde e politike, e vlerësoi edhe komike.

“Është dramë absurde, ka elemente jashtëzakonisht komike, nëse ne e shikojmë politikën e sodit prej një prizmi pak më interesant dhe komik, edhe ne shpesh qeshim me politikanët tanë,” tha Zymberi.

Aktori Shpëtim Selmani i cili ka ndihmuar edhe në përshtatjen e tekstit, tha se shfaqja zhvendoset në kontekstin tonë politik dhe social.

“Shfaqja ka tri karaktere të cilat janë me profile pak a shumë politike dhe te ne gjithmonë i kemi pasur tri profile politike që pak a shumë e kanë krijuar njëfarë lloj trekëndëshi të karakteristikave të njëjta,” tha ai.

Në shfaqje luajnë Kushtrim Qerimi, Lulzim Bucolli, Ernest Zymberi, Shpëtim Selmani, kurse tekstin e ka përkthyer Doruntina Basha.

Repriza e parë e shfaqjes “Në Det” do të jetë me 25 qershor në orën 21:00.