Njëri nga Veteranët Propozon Ministri të Tyre

Agush Buja që ishte pjesë e komisionit për verifikimin e veteranëve të UÇK-së propozoi sot ndjekjen e shembullit të Kroacisë dhe themelimin e ministrisë së veteranëve.

Kjo ministri, sipas Agushit do t’i zgjidhte problemet e kësaj kategorie të shoqërisë kosovare,

“Mendoj se më së miri kjo gjë do të rregullohej përmes një ministrie përkatëse (Ministria e veteranëve) sipas shembullit të Kroacisë”, shkroi Buja në Facebook.

Ai vazhdoi postimin me fjalët se gjithmonë do të ketë pakënaqësi nëse nuk rregullohet statusi i veteranëve.

“Qytetarët e Kosovës por edhe institucionet e saj duhet ta dinë se pa u vëne në vend dinjiteti, nderimi për veteranët e UÇK-së gjithmonë do të ketë diskutime e pakënaqësi!”, vijoi postimi i Bujës.

Ai i quajti fushatë të papërfunduar elektorale polemikat në Kuvend rreth listave të veteranëve tri ditë më parë.

KALLXO.com shkroi të mërkurën për përplasjen rreth këtyre listave mes Lumir Abdixhikut, Kadri Veselit dhe Bedri Hamzës.

http://kallxo.com/abdixhiku-hamza-e-veseli-polemizojne-per-veteranet-e-uck-se/

Pastaj Agush Buja reagoi edhe për pensionet e vonuara të veteranëve.

“Ky veprim është për keqardhje dhe është një lojë e paskrupullt me fatin e shumë veteranëve të cilët dikur nuk e kanë kursyer as jetën e gjymtyrët e tyre për lirinë e qytetarëve të Kosovës”, shkroi Buja.

Ai sipas postimit pret nga qeveria e tashme ta trajtojë në mënyrë më serioze çështjen e veteranëve.