Të afërm të viktimave presin te Emergjenca e Spitalit të Pejës - Foto: KALLXO.com

Një i Vrarë e një i Plagosur në Pejë

Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur në një incident që ka ndodhur sot pasdite në Pejë.

Mjekja kujdestare e Spitalit të Pejës, Sahadete Sylqa, tha për KALLXO.com se dy persona janë pranuar në Emergjencë rreth orës 15:30.

“Pacienti, një burrë i moshuar, ka pasur lëndim të rëndë në kokë me mjete therëse (sëpatë). Ai ka ardhur në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije. Me gjithë përpjekjet e ekipit të mjekëve viktima ka ndërruar jetë“, ka thënë Sylqa.

Ndërsa, për pacientin e dytë ajo ka thënë se ai ka ardhur me një plagë nga arma e zjarrit në pjesën e stomakut.

“Pasi i është bërë CT-ja e stomakut vërehet prania e plumbit dhe pacienti është futur në sallën e operacionit. Për momentin pacienti është jashtë rrezikut për jetë“, tha mjekja Sahadete Sylqa.

Ndërkohë, KALLXO.com merr vesh se viktimat janë babë e bir.

Incidenti ka ndodhur në lagjen “Dardania” të Pejës.

Sipas burimeve të sigurta të KALLXO.com lidhur me këtë rast Policia e ka arrestuar një person.