Një Vit Pas Përurimit, Shkollën e Pushton Lagështia

Shkolla e përuruar nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, kryetari i komunës Rasim Selmanaj dhe deputetë të zonës më 2 shtator të vitit të kaluar ishte prezantuar si një objekt modern shkollor, i cili do të ofrojë kushte më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Por një vit më pas, një pjesë e mureve dhe parketit të objektit të ri shkollor për të cilin janë shpenzuar 600 mijë euro janë dëmtuar.

Blerim Selmonaj, drejtori i shkollës “Rexhep Kadrijaj”, thotë për KALLXO.com se dëmet janë shkaktuar pasi izolimi i dobët i objektit po krijon lagështi.

“Shkaktar është lagështia që depërton, është në pyetje izolimi i dobët, nuk e di çka është në pyetje, mirëpo ekspertët mund ta vërtetojnë ketë më së miri”, tha ai.

Por punëtori teknik i shkollës, Florim Kadrijaj, thotë së lagështinë po e shkakton një gyp i ujit.

“Ky gypi i ujësjellësit është i dëmtuar, dyshojmë”, tha ai.

Arsimtari i kësaj shkolle, Adem Lushaj, është i shqetësuar për dëmtimet në objekt.

“Është për keqardhje kur asnjë vit nuk shkoi dhe dëmet dalin në shesh menjëherë. Investimet që bëhen veç shkel e shko”, tha arsimtari Lushaj.

Ai tha do t’u drejtohet organeve të drejtësisë që të veprojnë.

KALLXO.com për tri javë rresht ka pritur Ministrinë e Arsimit të përgjigjet në pyetjet e dërguara për dëmtimin e një pjesë të shkollës, por ata nuk janë përgjigjur.

Por gjatë kësaj kohe, kompania e kontraktuar “NPN EUROING” kishte dërguar ekipet e saj për t’i sanuar dëmet e shkaktuara në shkollën e re.

Në përgjigjen me shkrim për KALLXO.com, menaxhmenti i kompanisë thotë së pranimi teknik i shkollës është bërë me 22 dhjetor të vitit 2014 dhe sipas tyre nga ajo kohë objekti ka kaluar në kompetencë të shfrytëzuesve të shkollës.

“Ne jemi të obliguar në afat kohor prej një viti kalendarik të garantojmë cilësinë e punimeve nga data e pranimit teknik por jo edhe mirëmbajtjen e objektit të shkollës. Përkundër kësaj, ne ju kemi përgjigjur çdo herë në vazhdimësi kur jemi kontaktuar qoftë nga MASHT apo nga organet kompetente të shkollës dhe atë pa kurrfarë kompensimi në sanimin e mundshëm të dëmeve që kanë ardhur si pasojë e moskujdesit të shfrytëzuesve të objektit shkollor”, tha kjo kompani.

Edhe kompania ndërtuese thotë se lagështia në sallën e edukatës fizike është paraqitur për shkak të rrjedhjes së gypit të ujit.