Një Veturë Zyrtare Digjet në Mitrovicë

Lajmin për këtë djegie e bëri të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës Avni Zahiti.

“Një incident me elemente të zjarrëvënies është raportuar të ketë ndodhur  në mesnatë rreth orës 00:04 minuta. Ngjarja ka ndodhur në Rrugën ‘Mbretëresha Teutë’, përkatësisht në hapësirat e parkingut te veturave të Komunës së Mitrovicës,” tha Zahiti.

Ai tregoi se në zjarr është përfshirë një veturë e Qendrës për Punë Sociale.

“Mësohet se si pasojë e zjarrëvënies, zjarri kishte kapluar një veturë zyrtare.  Vetura zyrtare ishte e  Qendrës për Punë Sociale. Hetuesit policorë në vendin e ngjarjes si provë materiale kanë gjetë një shishe plastike me përmbajtje të lëndës ndezëse,” shpjegoi Zahiti.

Policia, sipas Zahitit, po e heton djegien e kësaj veture, ndërsa rastin e ka cilësuar si zjarrvënie.

Kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet e djegies së veturave zyrtare.

Më 13 dhjetor 2015 në katër lokacione të ndryshme të vendit u dogjën qëllimshëm katër vetura zyrtare.

http://kallxo.com/kater-vetura-zyrtare-ne-flake/

Edhe atë ditë në parkingun e Komunës së Mitrovicës qe djegur një veturë e Administratës Tatimore të Kosovës.

http://kallxo.com/bilanci-i-veturave-te-demtuara-te-administrates-tatimore/

Vetura zyrtare i është djegur edhe kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi më 20 dhjetor.

http://kallxo.com/hamdi-ibrahimi-djegia-e-vetures-sulm-ndaj-drejtesise/