Objekti i Klinikës Medicus | Foto: KALLXO.com

Një Polic dhe Anesteziologu i Klinikës Dëshmitar në Rastin “Medicus”

Ish anesteziologu i klinikës “Medicus”, dr.Sylejman Dulla si dhe zyrtari policor Fatos Haziri pritet që të dëgjohen si dëshmitar të radhës në seancën e sotme në gjykimin e mjekeve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.

Gjatë seancës së kaluar si dëshmitar ishte dëgjuar ish-doktori i OSBE-së Driton Jilta, ndonëse gjatë dëshmisë së tij për shumë gjëra tha se nuk i mbante në mend për shkak të kohës së gjatë e cila kishte kaluar. Jilta ndër të tjera kishte thënë se ai gjatë vizitave në klinikën “Medicus” gjatë herëve sa kishte hyrë në sallën e operimit kishte pasur mundësi që të i shihte dr.Lutfi Dervishin, dr.Kenan Demirkol, dr.Sokol Hajdinin si dhe dy anesteziolog të cilët kishin qenë të veshur me rroba të operimit dhe sipas tij ai madje kishte parë edhe një pacient i cili e kishte pasur një plagë në bark.

“Kam qëndruar aty shumë shkurt dhe e kam parë pacientin i cili ka qenë i mbuluar e me varrë në stomak”, kishte deklaruar dëshmitari Jilta gjatë dëshmisë së tij.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.