Foto: REL/Reuters

Një Person Plagos Veten Para Shtëpisë së Bardhë

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka thënë se një burrë është raportuar të ketë shtënë drejt vetes jashtë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, transmeton BBC.

Përmes një postimi në Twitter është njoftuar se agjentët janë “duke u përgjigur ndaj raporteve për një person që supozohet të ketë plagosur veten me armë zjarri”.

Presidenti amerikan, Donald Trump është në Florida, në pronën e tij Mar-a-Lago.

Ai pritet që të kthehet në Uashington.

Shërbimi Sekret ka thënë se personali mjekësor është duke trajtuar viktimën mashkull.

Po ashtu është raportuar se askush tjetër nuk është plagosur në këtë incident.

Korrespodenti i transmetuesit NBC për Shtëpinë e Bardhë, Geoff Bennett, ka thënë se gazetarët, janë “strehuar” në dhomën e mbajtjes së konferencave për shtyp.

Në vitet e fundit kanë ndodhur një varg incidentesh në Shtëpinë e Bardhë.

Në marsin e vitit të kaluar një person i armatosur me sprej djegës, ka kaluar më shumë se 16 minuta brenda territorit të ndërtesës pasi ka kaluar ndalesat.