Droga e konfiskuar nga Policia - Foto: KALLXO.com

Një Muaj Paraburgim të Dyshuarve për 135 Kilogramë Drogë

Një muaj paraburgim është masa e shqiptuar nga Gjykata e Ferizajt ndaj dy të pandehurve V.Z. dhe F.A., shtetas kosovarë, të dyshuar për veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Kështu, Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt të datës 13 shtator 2017.

“Të pandehurit dyshohet se në  fshatin Bibaj – Komuna e Ferizajt, pa autorizim, kanë përgatitur për transport dhe shitje, substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që gjatë kontrollit nga Njësiti i DHTN në Ferizaj, në një depo që bën grumbullimin dhe transportimin e mallrave për në shtetet perëndimore, janë gjetur dhe sekuestruar njëqind e tridhjetë e pesë (135) kg substanca narkotike të dyshuara të llojit marihuanë, e cila ka qenë e fshehur në katërdhjetë (40) copë dyer, të përgatitura për eksport”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në fund të njoftimit të Gjykatës.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme se Policia gjatë një aksioni ka konfiskuar 135 kilogramë narkotik dhe ka arrestuar pesë të dyshuar.