Pamje nga arrestimi i sotëm i deputetëve | Foto: KALLXO.com

Një Muaj Paraburgim për Kurtin, Kadajn e Haxhiun

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që për deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi dhe Albulena Haxhiun, të caktojë masën e paraburgimit për një muaj.

KALLXO.com, kontaktoi gjyqtarin Beqir Kalludra, në lidhje me masën e caktimit të paraburgimit, për një muaj, për tre deputetët, i cili tha se ka pasur vendim për paraburgim.

“Ka vendim për paraburgim, është një urdhëresë për arrestim dhe dërgim në paraburgim. Para 1 ore mora vesh se janë arrestu”, tha Kalludra.

Tre deputetët u arrestuan mëngjesin e sotëm deri sa ishin duke shkuar në Kuvend për seancën e cila u ndërpre gjatë ditës së djeshme.

Me të arritur afër ndërtesës mbrapa Kuvendit, policia arrestoi tre deputetët dhe i dërgoi në paraburgim jashtë Prishtinës.

Për Kurtin, Haxhiun e Kadaj- Bujupin, gjyqtari Beqir Kalludra ka lëshuar urdhër- arrest gjatë ditës së djeshme.

Urdhër-arresti u lëshua, ngase tre deputetët munguan në seancën e gjykimit ku akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.