Foto-ilustrim

Një Muaj e Gjysmë Mësim Pa Librat Bazë

Nxënësve të klasës së dytë në Shkollën “Beqir Gashi” në fshatin Mleqan të Komunës së Malishevës u mungojnë shumica e librave bazë për zhvillimin e mësimit, edhe pse ka kaluar gati një muaj e gjysmë nga fillimi i vitit shkollor.

Në mungesë të librave me të cilat duhet të zhvillojnë mësimin, ata shfrytëzojnë librat e klasës së parë.

“E kam një planprogram timin sa mos me nejt ata, e shfrytëzojmë librin e leximit të klasës së parë, e për matematikë punojmë me libra të vjetër, ato janë të plotësuara shumica”, tha për KALLXO.com Ejup Kryeziu, mësues në Shkollën “Beqir Gashi” në fshatin Mleqan të Malishevës.

Ejup Kryeziu tregoi se nxënësve të tij të klasës së dytë u mungojnë libri i leximit, i gjuhës shqipe, i matematikës, fletorja e punës për matematikë, fletorja e punës për vlerësimin e njohurive të nxënësve nga matematika, libri i lëndës njeriu dhe natyra, fletorja e punës për lëndën njeriu dhe natyra dhe libri i edukatës qytetare.

“Me keqardhje po them se një muaj e gjysmë me shku në këto kushte është mizore”, tha Ejupi.

Rasim Kryeziu, babai i njërit prej nxënësve të klasës së dytë në Shkollën “Beqir Gashi” në fshatin Mleqan tregoi se nxënësit aktualisht i kanë vetëm librat e edukatës figurative, edukatës muzikore dhe edukatës fizike.

Ai tha se ka shkuar në drejtorinë e arsimit për të pyetur për librat, por nuk e ka gjetur drejtorin aty.

“Kam shkuar në Drejtori të Arsimit, drejtori nuk ishte aty por ishte në fushatë, zëvendësi i tij më tha që librat janë, por që nesër kontaktojmë me drejtorët e shkollave dhe i njoftojmë për me i marrë”, deklaroi Kryeziu.

Megjithatë, sipas Kryeziut, librat nuk erdhën.

“Kemi shku prapë e kanë thanë që jo nuk kanë ardhë, drejtori as që ju bën presion, e as që merret me këto probleme, kështu që fëmijët janë pa tekste shkollore”, përfundoi Rasim Kryeziu.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Malishevës e konsideron të realizuar procesin e shpërndarjes së librave, por e pranon që ka vështirësi që mund të sjellin vonesa.

“Ka vështirësi në përfundimin e shpejtë, sepse mund të ndodhin gabime në planifikim, por edhe në sasinë e cila gjendet në kuadër të dërgesave të cilat pranohen në DKA-të përkatëse. Mandej edhe procesi i klasifikimit për secilën shkollë merr kohë dhe po ashtu mund të evidentohen mungesa”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com të DKA-së në Malishevë.

Drejtoria e Arsimit thotë se librat në Malishevë kanë ardhur në fud të gushtit, ndërsa janë shpërndarë në të gjitha shkollat.

Por kur kjo drejtori u pyet nga KALLXO.com për mungesat e librave në Shkollën në Mleqan të Malishevës, tha se të gjitha librat mund të mos kenë shkuar në vendporosi.

“Për shkollën të cilën ju po flisni nuk ka pasur ndonjë tendencë por sigurisht ka ndodhur ndonjë gabim në shpërndarje ose janë dërguar me mungesë dhe plotësimi ka marrë kohë pastaj. Ndonjëherë ka vështirësi në klasifikimin dhe dërgimin e saktë në vendporosi dhe pastaj evitimi i saj merr kohë”, sqarohet Drejtoria e Arsimit.

Nxënësit e shkollës “Beqir Gashi” kanë mbetur prapa krahasuar me nxënësit e tjerë në vendet e tjera të Kosovës dhe sipas DKA-së në Malishevë mungesa në realizimin e programit mësimor dhe orëve të humbura mund të kompensohen me punë shtesë.

“Shkollat kanë treguar përkushtim të kompensojnë kohën e humbur në raste të caktuara. Bashkëpunimi i shkollave me komunitetin e prindërve është evident. Ne do të jemi të gatshëm si gjithmonë të përkrahim të gjitha aktivitetet dhe programet të cilat zhvillojnë në mënyrë cilësore programin edukativo- arsimor”, tha DKA-ja për KALLXO.com.