Një i Vrarë e Një i Plagosur në Podujevë

Një i vrarë dhe një i plagosur është bilanci i një përleshjeje me armë zjarri në Podujevë. Sipas Policisë, incidenti ka ndodhur të dielën rreth orës 21:40 në afërsi të parkut të qytetit.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për  një përleshje me armë zjarri, ku janë plagosur rëndë dy persona”, njofton Policia përmes një komunikate.

Shtetasi F.B., 25-vjeç, i plagosur në këtë incident ka ndërruar jetë më vonë, ndërsa i plagosuri tjetër E. Ll., 30-vjeç, po vazhdon tretmanin në QKUK.
Gjatë këtij aksioni Policia ka sekuestruar armë, municione e automjete.

“Tri automjete, një revole e tipit “TT”, një pistoletë e tipit “HS XDM”, 28 fishekë, 2 karikatorë të zbrazur, si dhe një “AK 47” me 51 fishekë. Kjo arma e fundit është gjetur dhe sekuestruar nga njësitet policore brenda objektit të QKUK-së, në posedim të njërit prej personave të përfshirë në rast”, njofton Policia e Kosovës.

Po ashtu, Policia njofton për masën e arrestit policor prej 48 orësh që është shqiptuar nga prokurori i shtetit ndaj dy personave të dyshuar, F. Ll.  27-vjeç, dhe S. Ll., 32-vjeç, të dy shtetas të Republikës se Kosovës.

Policia thotë se nuk i di motivet e këtij incidenti.