Një Festë pa Incidente

Kur Kosova mbushi një dekadë si shtet, për nder të kësaj dite pati festë të shtunën e të dielën.

Megjithatë, pavarësisht numrit të madh të njerëzve që dolën për të festuar, Policia e Kosovës nuk ka marrë asnjë raport për ndonjë incident, i cili mundi të ndikoj në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese.

Kështu të paktën është deklaruar zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Daut Hoxha.

Ai për KALLXO.com tha se gjatë ditëve festive për nder të përvjetorit të 10 të Pavarësisë së Kosovës nuk janë shënuar incidente të cilat kanë mundur të ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese.

“Jashtë procesit festiv, janë evidentuar incidente të natyrave të ndryshme, por te cilat incidente janë menaxhuar nga Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore”, tha Hoxha.

Ai shtoi se gjendja e trafikut gjatë ditëve festive ka qenë më e qetë se herëve të tjera.

“Nuk ka pasur aksidente fatale, si dhe numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe me dëme materiale ka qene i një trendi në rënie, respektivisht ka pasur më pak aksidente rrugore”, tha më tutje Hoxha për KALLXO.com.

Sipas Hoxhës, Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin e saj të veçantë operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese për shënimin e vitit jubilar të shtetësisë së vendit.

“Njëkohësisht falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet dhe gjithë mysafirët pjesëmarrës tjerë në këto aktivitete për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur me autoritetet e rendit në aspektin e sigurisë gjatë gjithë këtij procesi”, ka thënë Hoxha.

Ditën e shtunë, rreth 300 mijë qytetarë u mblodhën në sheshet e kryeqytetit për të ndjekur koncertin e këngëtares me famë botërore me prejardhje shqiptare, Rita Ora.

Gjatë ditës së djeshme, qytetarë të shumtë u mblodhën për të përcjellë, aktivitetet dhe parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës së bashku me njësitet e tjera të Policisë së Kosovës.