Ilustrim nga Public Domain Pictures

Një Diplomë në Xhep

Edhe pak ditë e fillon viti i ri universitar, dhe kemi në tavolinat e muhabeteve tona storiet e rrëfimet për njëmijë suksese e njëmijë dështime të mijëra maturantëve, po edhe ëndrrat e shumta të atyre që për të parën herë marrin epitetin studentë. Një mani që ecën me pamje të shpejtë.

Në këtë universitet apo në atë filan universiteti? Të gjithë duan të jenë studentë, dhe kjo është e drejtë legjitime. Në këtë epokë, në të cilën sillemi rreth e përqark vetes, jemi shndërruar në një popull studiues, por shkencërisht e kulturalisht të zbehtë – shterpë, universitete të dikurshme e universitete të pafundme private, të bukur e të dëshirueshëm. Pavarësisht nivelit të studimeve dhe sukseseve, me rëndësi që të gjithë të studiojnë e të fusin pas disa viteve një diplomë në xhep. Dhe pavarësisht se kur storia e studimeve të mbarojë, mundësitë e punësimit, nëse jo përfundimit në kafexhinj, çojnë në të diplomuar që njohin realitetin utopik, të rrejshmin, plot ethe e ëndrra të shuara. Po e rëndësishme që të kesh një diplomë në xhep fillimisht, se çka ndodh më pas ka pak rëndësi.

Në këtë automatizëm të studimeve të botës bashkëkohore, në të cilën edhe ngjarjet tragjike kthehen në spektakël dhe ku gjithçka sikur është shndërruar në reklamë, ka pak vend për studentë e studiues të mirëfilltë. Idila e imponuar ose gjenialiteti i popullit e do që të gjithë të studiojnë, sikur të ishim një makinë studiuese. Mundësitë e zgjedhjeve të studimeve janë të pafundme, të vogla, shumë të vogla, janë vetëm mundësitë e vënies në funksion të këtyre ngritjeve profesionale.

Prandaj kemi mijëra mësues, ekonomistë, juristë, e laramani profesionistësh që rrinë me diplomën n’xhep. Për të gjithë sikur ka një rregull. Paçi fat tjetër herë!

Jemi ende në epokën e të qenit në ‘kalueshmëri’ për t’i ikur fjalës tranzicion, prandaj duket sikur i jemi nënshtruar një dekompozimi, pasojat e të cilit do të jenë të gjata shumë.

Një tjetër luftë që nga mbarimi i luftës deri më sot, ka ndodhur në arterien e në zemrën e këtij populli, kjo është lufta me dijen ose lufta në arsim. Lufta me dijen nuk bëhet me zor. Por që secili ka të drejtën ta dijë arsyen e dështimit, të kuazi dështimit apo edhe të suksesit të tij. Nuk është se është fajtore Ministria e Arsimit, se fajtorë janë profesorët, ose se fajtorë janë vetë studentët, faji i takon tërë sistemit arsimor, i cili ka lejuar klimën e ethshme vetëm të studimeve, apo të kuazi studimeve po jo edhe të kërkimit intelektual. Sikur mashtrimi i masave dhe iluminizmi intelektual të ishte vulosur me kushtetutë.

Në këtë sistem, për të gjithë “dështakët” e shkollave të mesme ka një zgjidhje, sepse ka plot universitete private që ofrojnë ‘turlifarë” mundësish regjistrimi, mjafton të paguash. Sikur të ishin tuxhar që bëjnë mall e tregti me dijen! Po edhe kjo e ka historinë e vet.

Në 13 vitet e pasluftës, arsimi i lartë privat është shndërruar jo pak në biznes dobiprurës, dhe tashmë nuk ka as plan e as tavan, se kush dhe çfarë mund të studiojë. Nuk ka standard e kriter vlerësimi, dhe vetëm fatkeqësia mund t’i pengojë studentët të mos e kryejnë fakultetin në afatin rekord. Mjafton të duan e të kenë pare, dhe “pronarët rektorë magnifikus” e shkollojnë memleqetin. Mjafton të të fusin brenda, dhe nuk del nga aty aq sa mund të dalë faraoni nga piramida. Që rregull i studimeve të jetë: Sa e ke diplomën tuxhar?

Nga kjo lind vetëdija e gjymtë dhe ëndrra false, e cila po prodhon raste të skajshme të shpërfilljes tërësore të të qenit student e studiues. Ndoshta kjo është përgjigja më vetëshkatërruese ndaj vështirësive të shoqërisë sonë sot, e cila është shndërruar në një mikrob vdekjeprurës që po përdoret si ilaç.

Përderisa jemi të pushtuar nga superfuqitë studentore, ky popull studiues ka pak fuqi të ketë studentë e studiuesë të vërtetë. Për të gjithë ‘dështakët’ e diplomuar që s’mund të gjejnë kurrsesi një punë në profesion, dhe për të gjithë ata që pak e njohin fushën që e kanë studiuar e specializuar, mund të thurim përrallën e motorit të ngecur që vazhdon të çirret, ose përrallën e “metropolit të studentëve të rinj”. Por metropoli nuk njeh qëndrueshmëri dhe traditë, është frymë e së resë dhe shndërrim që gëlltit pandalshëm, është ai që harron se çfarë ka në kujtesë.

Ka raste plot në tregtinë e institucioneve të arsimit të lartë, këndej e andej kufirit, i cili sot për sot, është sistem piramidal. Po të mos ishte historia e sistemit të imponuar shkollor të viteve të 90-ta, ku shtëpitë e Kosovës ishin bërë shkolla me dhunë, dhe çmimi që u pagua dhe po paguhet për të ishte e është i madh, paramendoni sa do të jetë nesër ky çmim, me gjithë tregtinë dhe ‘tuxharët’ e arsimit, e më gjithë padrejtësitë e lëshimet që mund të bëjë institucioni më i lartë i dijes… Deri atëherë kemi zgjedhjen e mbijetesës e të mbetjes në patosin studentor.