Muharrem Nitaj | Foto: KALLXO.com

Nitaj: Rrenë Largimi i Nismës nga PAN-i

Pasi Valdete Bajrami tha për KALLXO.com se Nisma në Kuvend do ta ketë grupin e vetë parlamentar, zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj tha se për grupet parlamentare do të vendoset pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Është në diskrecionin e partive politike, aleate të koalicionit PAN, nëse do të vazhdojnë me grupe të ndara parlamentare, apo do të vendosin të jenë një grup i vetëm parlamentar. Kjo vendoset pas certifikimit të rezultateve. Nuk ka asnjë lidhje nëse grupet parlamentare funksionojnë si të vetme në parlament, me largimin e ndonjërës parti nga koalicioni PAN”, ka thënë Nitaj për KALLXO.com.

Nitaj më tutje i ka quajtur rrena lajmet se Nisma do të largohet nga koalicioni me PDK-në e AAK-në.

“Po i shoh makineritë propagandistike se si po shpërndajnë rrena për largimin e Nismës nga PAN. Më duhet t’i zhgënjej të gjithë ata, se kjo s’ka të bëjë fare me largimin nga koalicioni. PAN i ka rezultatin më të mirë  dhe atij i takon ta bëjë qeverinë. Pritni e mos u ngutni me ba pazare, sepse ka një rregull në këtë shtet. Ata që e njohin këtë shtet, duhet t’i respektojnë këto rregulla, jo sepse duan, por sepse nuk kanë zgjidhje tjetër”, tha Nitaj për KALLXO.com

Valdete Bajrami sot gjatë ditës i ka thënë KALLXO.com se Nisma  do të veprojë si grup i vetëm parlamentar.

“Kryetari Limaj qysh gjatë fushatës zgjedhore ka deklaruar se deputetët e Nismës për Kosovën do të funksionojnë si grup parlamentar në vete”, kishte thënë gjatë ditës Bajrami për KALLXO.com .

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi kishte thënë më herët gjatë ditës për KALLXO.com se janë në pritje të rezultateve nga KQZ-ja.

http://kallxo.com/nisma-ndahet-nga-pan-e-vetme-ne-kuvend/