Konferenca e Nismës | Foto: KALLXO.com

Nisma: Nuk Bëhemi Hisenikë në Procesin e Dialogut

Sekretari i Nismës për Kosovën Bilall Sherifi tha që partia e tij nuk mund të bëhet hisenike në goditjen përfundimtare ndaj Kosovës që po vjen si pasojë e këtij dialogu.

“Ne nuk mund të bëhemi hisenikë të një dialogu te tillë që mund t’i jepte goditjen e fundit Kosovës, që do të vazhdonte ta mbante Serbinë në Kosovë. Të shkojmë në zgjedhje të reja, të vendosë sovrani, e pastaj legjislatura e re të nisë një dialog që do ta largonte Serbinë nga Kosova”, tha Sherifi.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi, fajtorët kryesorë për këtë degradim të dialogut i sheh Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Mustafa.

“Përgjegjës për këtë formë të dialogut të zhvilluar gjatë këtyre viteve janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Këta dy janë përgjegjësit kryesorë për tërë këtë degradim që po i bëhet shtetit tonë të ri”, tha ish-kreu i Kuvendit Krasniqi.

Edhe ai njëjtë si Sherifi kërkoi që të shkohet sa më parë në zgjedhje në mënyrë që të hartohet një strategji e re e bisedimeve.

Sipas Jakup Krasniqit, dialogun Thaçi e ka përdorur për ta forcuar pushtetin e tij.

“Dialogu u përdor nga Thaçi për forcimin e pushtetit të tij personal dhe kthimin e Serbisë në Kosovë përmes Listës Serbe”, deklaroi Krasniqi.

Për Krasniqin, dialogu vetëm përkeqësoi raportet Kosovë-Serbi.

“Ky dialog jo vetëm që nuk solli normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por e trimëroji Serbinë aq shumë, saqë ajo për një kohë të shkurtër bëri provokime të rënda ndaj Kosovës. Provokimi i parë ishte ndalimi i Haradinajt në Francë, ndërtimi i murit në Mitrovicë dhe agresioni i fundit nisja e trenit shovinist nga Beogradi për në Kosovë,” tha Krasniqi.

KALLXO.com shkroi gjatë ditës së djeshme për refuzimin që partitë opozitare ia bënë ofertës së Kryeministrit për përfshirjen e tyre në dialog.

http://kallxo.com/opozita-nuk-deshiron-te-behet-pjese-e-dialogut-serbine/

Gjatë ditës së djeshme edhe presidenti Thaçi mbajti një konferencë për media ku foli rreth dialogut që u zhvillua të martën në Bruksel.

http://kallxo.com/thaci-autoritetet-ta-respektojne-rezoluten-e-kuvendit-per-rrenimin-e-murit/