NISMA e PDK Kapen për Fjalë në Shtime për një Nënkolonel Turk

Në seancën e asamblesë komunale të mbajtur më 31 dhjetor 2016, këshilltarët votuan që nënkoloneli Ozgur Ecevit Tasçi të nderohet me çmimin “Nderi i Qytetit”.

Por opozitarët e komunës së Shtimes kanë gjetur mospërputhje me domethënien e këtij çmimi dhe përfituesin e tij.

Kryetari i degës së NISMA-s në Shtime, Fehmi Hysenaj, thotë për KALLXO.com se çmimi “Nderi i Qytetit” u takon vetëm qytetarëve të asaj komune të cilët shquhen për ndonjë të arritur.

Tjetër gjë, sipas tij, është çmimi “Qytetar Nderi” që i jepet dikujt nga jashtë që ka mundur të japë ndonjë kontribut për një qytet të caktuar.

“Këtu është bërë gabim por edhe është shfrytëzuar ndikimi i kryesuesit të kuvendit në këtë rast Rrahman Jakupi që vjen nga PDK që t’i jap një çmim një njeriu që në shumicën e aktiviteteve ka qenë bashkë me të. Pra kryesuesi i kuvendit që nuk është praktike që të marrë pjesë në aktivitete që i takojnë ekzekutivin por e ka pas afërsisë me të”, tha ai.

Ai tha se nuk janë përfillur procedurat të cilat parashihen për ndarjen e çmimeve të Komunës së Shtimes.

Por Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Shtimes, Rrahman Jakupi tha çmimi i ndarë për nënkolonelin turk është bërë në bazë të rregullores së Komunës së Shtimes.

“Kuvendi i komunës duke u bazuar në këtë rregullore në mbledhjen e 10 të vitit që lamë pas ka marrë vendim që me i nda shpërblimet në bazë të nenit 5 pika 5.2. Këtë çmim ia kemi nda nënkolonelit Ozgur Ecevit, tash nënkolonel i LMT-së në Shtime”, tha Jakupi.

Sipas Jakupit, nënkoloneli turk Tasçi ka kryer veprimtari të ndryshme në Komunën e Shtimes dhe për këtë arsye është vendosur në mënyrë unanime që ti jepet çmimi “Nderi i Qytetit”.

Ai tha se ky çmim u është ndarë edhe personaliteteve tjera si Adem Demaçi e William Walker.

Deklaratën e opozitarit të NISMA-s, Jakupi e vlerëson si çështje personale dhe pritjet e tij se Jakupi do të kandidojë për kryetar komune nga PDK në zgjedhjet e këtij viti.

“Më vjen keq që bën spekulime të tilla. Ka të bëjë më shumë me çështje personale karshi meje jo unë karshi tij. Kohëve të fundit ai ka dalë me një medium ku ka thënë se unë mund të jem kandidat i mundshëm si kryetar i komunës”, tha Jakupi.

Titulli “Qytetar Nderi”, sipas rregullores së Komunës së Shtimes, është titulli më i lartë që u jepet personaliteteve të larta politike, shoqërore, shkencëtarëve, artistëve, të huajve që vizitojnë qytetin e Shtimes, në shenjë respekti, miqësie apo mirënjohje për kontribute të rëndësishme e të veçanta në fushat e ndryshme në të mirë të qytetarëve.

Titulli “Nderi i Qytetit”, është titull që u jepet personaliteteve të shquara të qytetit që kanë dhënë kontribute të veçanta dhe tepër të rëndësishëm, të cilët kanë lartësuar emrin e qytetit që kanë një veprimtari të gjerë dhe të rëndësishme në fusha të veçanta dhe shumë të njohura në rrafshin kombëtar, të shoqërisë, shkencës, artit dhe sportit. Ky titull u ndahet qytetarëve që realizojnë akte të larta humanizmi, heroizmi dhe sakrifica sublime.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë se ka pranuar nga Komuna e Shtimes vendimin për ndarjen e çmimit “Nderi i Qytetit” i dhënë nënkolonelit turk.

“Konform nenit 7 të Rregullores(QKR) Nr.01/2016 Për Shqyrtim Administrativ të Akteve të Komunave, MAPL ka dërguar për vlerësim të ligjshmërisë këtë Vendim në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila është kompetente për vlerësim e këtij Vendimi. Deri më tani MAPL nuk ka pranuar përgjigje nga Ministria përkatëse…për përgjigjen që do të pranojmë do të njoftoheni me kohë”, tha zëvendës ministri i MAPL-së, Bajram Gecaj.