Nisja e Kushtueshme nga Fillimi e Shkollës së Muzikës

Pas dëmtimit dhe lëvizjes së themelit të ndërtesës së shkollës së muzikës në Pejë, komuna ka hapur tender për pastrimin e hapësirës së këtij themeli.

Zëdhënësi i Komunë së Pejës Engelbert Zefaj tha për KALLXO.com se procedurat e prokurimit rreth këtij tenderi janë pranë përfundimit.

“Në qoftë se nuk ka ndonjë ankesë(pas shpalljes së fituesit) dikur brenda dhjetë ditëve do nënshkruhet edhe kontrata me fituesin e këtij konkursi dhe besojmë që brenda dy jave do krijohen mundësitë që kompania fituese për demolimin e objektit ta bëjë pastrimin e terrenit dhe përgatitjen e terrenit për të vazhduar punimet,” tha zëdhënësi Zefaj.

Për demolimin e mureve të themelit dhe pastrimin e kësaj hapësire ku do të ndërtohet objekti i shkollës së muzikës, Engelbert Zefaj tha se janë paraparë 20 mijë euro, por kjo gjë sipas tij mund të kushtojë më lirë, pasi të jepen ofertat.

Zefaj pret që puna e demolimit të kryhet shpejt në mënyrë që të nisë ndërtimi i objektit.

“Një kompani serioze arrin shpejt ta realizojë ketë punë, ketë demolim, kështu që shumë shpejt pritet që kompania që është fituese  për ndërtimin e objektit të shkollës së muzikës, shumë shpejt do fillojë të ndërtojë objektin,” tha Zefaj.

Vitin e kaluar nga fuqia e ujit pas shpërthimit të një gypi lëvizi themeli i nisur i shkollës së muzikës në Pejë, duke shkaktuar dëm prej 60 mijë eurove.

Sekretari  organizativ i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë Besnik Zeqiraj tha për KALLXO.com se ky projekt është dëshmia e qeverisjes së keqe të Gazmend Muhaxherit dhe koalicionit LDK-PDK.

“Qytetarët duhet paguajnë rreth 60 mijë euro fillimisht për ndërtimin e këtij projekti që ka dështuar dhe pastaj edhe dhjetëra mija euro për rrënimin e tij. Ne mendojmë që ky projekt është model i dështimit të qeverisjes së Gazmend Muhaxherit dhe koalicionit qeverisës LDK-PDK,”  tha Zeqiraj.

Për zëdhënësi Engelbert Zefaj tha se në këtë punë Komuna e Pejës është palë e dëmtuar.

Në tetor të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi për lëvizjen e themeleve të objektit të shkollës së muzikës në Pejë.

http://kallxo.com/leviz-themeli-shkolles-se-muzikes-ne-peje/