Takimi i Thaçit me Nishanin | Foto: KALLXO.cvom

Nishani: Të Punojmë për Dy Shtetet Tona

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani që sot u nderua me Urdhrin e Lirisë nga Presidenti Thaçi, vlerësoi lart nderimin që iu bë.

“Është emocion për çdo njeri, veçanërisht ta marrësh medaljen e lirisë nga Presidenti i Kosovës. Më shumë sesa Kosova askush dhe asnjë popull nuk e njeh rëndësinë e jetës, asnjë vend dhe asnjë popull nuk ka kontribuuar dhe sakrifikuar më shumë për ta fituar lirinë”, tha Nishani.

Ndërsa Presidenti Thaçi deklaroi se nuk ka rrugë tjetër përveç asaj europiane për Shqipërinë dhe Kosovën.

“E ardhmja jonë është europiane, ne rrugë tjetër nuk po kërkojmë. Faktori i brendshëm politik duhet ta ndihmojë rrugën e dy shteteve drejt Europës. Shqipëria është më përpara, ndërsa ne jemi ende në rrugën drejt liberalizimi te vizave”, tha Thaçi.

Nishani më tutje kërkoi që të punohet për të dy shtetet.

“Çështja kombëtare shqiptare është një çështje e shenjtë sepse është e lidhur me sakrifica mijëravjeçare për ruajtjen e ekzistencën shqiptare. sot gjenerata jonë e ka një detyrë shumë te rëndësishme, që të punojë për dy shtetet tona”, tha Nishani.

Presidenti Thaçi “Shqipërinë e Madhe” e konsideroi propagandë të Beogradit për justifikimin e rolit destabilizues në Ballkan .

“Kush sot flet më së tepërmi për ‘Shqipërinë  e Madhe’. Shikoni mediumet e Beogradit, e kanë në ballinë, shikoni zyrtarët e Beogradit, ata e përmendin. ‘Shqipëria e Madhe’ përmendet në Beograd, as në Prishtinë as në Tiranë”, tha Thaçi.

Presidenti Nishani po viziton Kosovën pak para se ta përfundojë mandatin e tij. President i ri i Shqipërisë është zgjedhur Ilir Meta.