Gjykata Themelore në Prizren

Nis Gjykimi i Drejtorit për Grushtimin e Punëtorit

U mbajt shqyrtimi fillestar në çështjen penale të Besim Baraliut, drejtorit të “Hidroregjionit Jugor”, i cili akuzohet nga prokurorja e shtetit Sahide Sefa, se i shkaktoi lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit Izet Aliu.

“Hidroregjioni Jugor” është kompani rajonale e ujësjellësit në Prizren.

Sipas prokurorisë, më 16 maj të vitit të kaluar Besim Baraliu rreth orës 10:40 në Prizren, në ambientet e “Hidroregjionit Jugor” derisa i dëmtuari Izet Aliu kishte shkuar për t’u paraqitur para komisionit disiplinor të kësaj kompanie, sulmohet fizikisht nga Baraliu.

“I pandehuri Baraliu del nga zyra e tij dhe pas një fjalosjeje në mes të të pandehurit dhe të dëmtuarit, Besim Baraliu e sulmon fizikisht Izet Aliun duke e goditur me grusht në pjesën e majtë të kokës, të cilit i shkakton lëndime të lehta trupore dhe ndrydhje në anën e majtë të kokës”, thuhet në aktakuzë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorisë, i akuzuari kërkoi të gjitha shkresat e lëndës në mënyrë që të përgatitet që në seancën e radhës te deklarohet lidhur me fajësinë.

Kjo kërkesë nuk u kundërshtua nga ana e prokurorisë.

Gjyqtarja e rastit Teuta Krusha mori aktvendim që seanca e radhës të mbahet më 6 qershor.