Foto-ilustrim

Nis Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit

Qershor 04, 2014 – Ministri i infrastrukturës Fehmi Mujota njoftoi shefin e tij se kontrata është e gatshme për konzorciumin “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, qyteza afër kufirit me Maqedoninë, që do të kushtojë 600 milionë euro. Punimet do të fillojnë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Konzorciumi që ndërtoi autostradën e kombit, do të filloj ndërtimin e autostradës tjetër kosovare nga Prishtina deri në kufirin me Maqedoninë, apo siç njihet ndryshe Rruga 6.

“Bechtel & Enka” kishte fituar tenderin në janar të këtij viti duke ofruar çmimin prej 599,944,263 euro ndërsa konsiorciumi italiano-turke, “Cooperativa Muratori and Cementisti, C.M.C. di Ravenna & Dogus (CD)”, është renditur i dyti me ofertën financiare prej 756.060.580 euro.

“Mund të informoj kabinetin, i nderuari kryeministër, se Komisioni Ndërministror ka përfunduar punën e vet, dhe ka përmbyllur procesin, dhe kontrata tashmë është e gatshme për nënshkrim, dhe ne po presim procedurat e mëtejshme të nevojshme për përmbylljen e këtij procesi” tha sot ministri Mujota para kabinetit qeveritar.

Oferta e parë e konzorciumit fitues ka qenë 500 milionë euro nëse autostrada ndërtohet pa tunel, ndërsa nëse ndërtohet tuneli, Bechtel&Enka ka kërkuar 600 milionë euro.

Rruga e 6 do të jetë e gjatë 55 kilometra dhe pritet të përfundojë brenda 42 muajve.

Ende nuk dihet nëse kjo kontratë është me çmim fiks apo do të jetë si kontrata e autostradës “Ibrahim Rugova” e cila shkoi deri afër një miliard euro.

Në prill, Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar hulumtimin e saj për autostradën “Ibrahim Rugova” duke prezantuar për herë të parë se si lobimi, planifikimi i dobët, “tenderët pa konkurrencë”, dështimi për të vendosur kapak të çmimit dhe çmimet e “fryra” të cilat kanë lënë taksapaguesit kosovarë me një faturë prej afër një miliardë euro për vetëm 77 km autostradë.

Gazeta Jeta në Kosovë po ashtu ka publikuar një hulumtim tjetër në lidhje me autostradën për lobimin e madh të ambasadorit amerikan Christopher Dell i cili ka kundërshtuar propozimet e zyrtarëve të BE-së që kontrata me “Bechtel & Enka” të mos nënshkruhet pasi nuk është në favor të Kosovës.

Së fundmi, Dell mori rolin si drejtor i “Bechtel-it” në shtetin afrikan të Mozambikut vitin e kaluar, disa muaj pas përfundimit të karierrës tridekadëshe në Departamentin e Shtetit.