Nis Asfaltimi i Rrugës Drejt Burgut të Gërdovcit

Ministria e Infrastrukturës dhe komuna e Podujevës kanë përuruar sot fillimin e punimeve në asfaltimin e rrugës që çon drejt këtij burgu, i cili ka nisur punën para tri viteve.

Në përurim morën pjesë ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, zëvendës ministri i Drejtësisë, Florian Dushi dhe kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Ky projekt i financuar nga Ministria e Infrastrukturës ka një gjatësi prej 725 metrash, gjerësi prej 6 metrash, ndërsa vlera e realizimit të tij është 85,999.90 euro.

Po ashtu, ministri Zharku dhe kryetari Veliu inspektuan punimet që po bëhen në zgjerimin e rrugës nacionale N25, segmenti Rrethrrotullimi Besi  – Podujevë, llot 5, projekt ky i financuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Realizimi punimeve të këtij pozicioni ka filluar në fund të muajit mars, ndërsa punimet planifikohet të përfundojnë në fillim të muajit gusht të këtij viti, ku pritet të fillohet edhe me shtrirjen e shtresave të reja të asfaltit sipas projektit për këtë segment.

Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 4.23 kilometrash dhe gjerësi prej 19.5 metrash, ndërsa vlera e realizimit të tij është 4,287,742.45 eurosh.