Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq - Foto: Beta/Milan Obradovic.

Nikoliq Heq Dorë nga Gara për një Mandat Tjetër

Pas disa ditësh të tensionuara, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka vendosur të mos kandidojë për një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale të kësaj pranvere.

Vendimi u njoftua pas një takimi të sotëm në mes të Nikoliqit dhe kryeministrit aktual, Aleksandar Vuçiq, i cili javën e kaluar doli të jetë kandidati më i favorizuar për president nga radhët e Partisë Progresive, të cilës i përkasin të dy.

“Kemi rënë dakord për të vazhduar udhëheqjen e shtetit së bashku. Ne do të diskutojmë për postet pas fitores tonë në zgjedhje”, i ka thënë Nikoliq të përditshmes “Kurir” pas takimit kokë më kokë.

“Ne do të vazhdojmë ta përparojmë Serbinë. Aleksandri do të jetë kandidat për president”, shtoi Nikoliq.

Takimi u mbajt pasi mediat lokale njoftuan javën e kaluar se Nikoliq ka vendosur të garojë edhe për një mandat, pavarësisht se partia e tij ka votuar për ta emëruar Vuçiqin si kandidat për zgjedhjet presidenciale.

Ndonëse raportet e mediave u përqendruan në një konflikt të dukshëm mes dy burrave, një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas takimit thekson bashkëpunimin e tyre të kaluar dhe se janë pajtuar të punojnë fort në të ardhmen për të garantuar sigurinë e rajonit.

“Presidenti dhe kryeministri u pajtuan plotësisht se Serbia po përballet me sfida serioze dhe kërcënime që kërkojnë një përgjigje të përbashkët dhe të plotë nga udhëheqja e shtetit”, thekson deklarata.

“Uniteti i të gjithë zyrtarëve të shtetit në zgjidhjen e problemeve rajonale dhe duke shmangur një krizë në shkallë të gjerë janë detyrat prioritare të presidentit Nikoliq dhe kryeministrin Vuçiq”, shtoi ajo.

Ajo përshkruan një qëndrim të përbashkët në mes të Nikoliqit dhe Vuçiq për tema kyçe të tilla si rinovimin e padisë nga Bosnja kundër Serbisë për gjenocid, e cila u njoftua të premten, dhe ndaj propozimeve për Kosovës rreth “të ashtuquajturit anëtarësim” në UNESCO-s dhe Këshillin e Evropës.

Partia Progresiste e Serbisë ka konfirmuar Vuçiqin, i cili është udhëheqës i partisë, si kandidatin e vet të zgjedhur në mënyrë unanime për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vendit, të cilat do të mbahen më 30 prill.

Kandidatura e Vuçiqit u mbështet edhe nga Partia Socialiste e Serbisë, partner i koalicionit, pas një takimi të partisë të shtunën.

Nikoliq fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 2012 si kandidat i progresistëve dhe duket se ka pritur mbështetjen e tyre për një mandat tjetër.