Ngrihen Gypat e Ujit, Stomatologjia Jashtë Funksionit

Nga e premtja e javës së kaluar Poliklinika e Stomatologjisë në Pejë nuk është duke kryer asnjë shërbim.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci, tregon arsyen pse kjo poliklinikë është jashtë funksionit.

“Si pasojë e acarit që ka mbretëruar dy javët e fundit, nga temperaturat e ulëta ka pasur ngrirje në orëmatësin i cili ndodhet në distancë nga objekti i Poliklinikës dhe për pasojë është ngrirë edhe i gjithë sistemi i ujit brenda objektit të Poliklinikës së Stomatologjisë çka ka pamundësuar ofrimin e shërbimeve stomatologjike si pasojë e mungesës së ujit dhe funksionimit të ngrohjes qendrore”, tha Loci për KALLXO.com.

Petrit Loci tha se ekipet në terren po bëjnë përpjekje për ta shkrirë akullin.

“Janë duke u bërë përpjekje maksimale, por po duhet të tregohet kujdes pasi që edhe ofrimi i temperaturave të ngrohta me anë të nxehjeve të ndryshme po rrezikon shpërthimin e ujërave dhe jemi duke u kujdesur që sa me parë ta bëjmë sanimin dhe punët të startojnë në ofrimin e shërbimeve stomatologjike”, theksoi drejtori i Shëndetësisë së Pejës.

Në kohën kur KALLXO.com vizitoi Poliklinikën e Stomatologjisë ekipi punues po përpiqej të shkrinte gypat e ngrirë.

Për shkak të mosfunksionimit të Poliklinikës, pacientët shërbimet stomatologjike po i marrin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pejë.

KALLXO.com me herët kishte raportuar për furnizimin me pajisje të reja të Poliklinikës së Stomatologjisë në Pejë.

http://kallxo.com/pajisje-te-reja-per-stomatologjine-ne-peje/