Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Nga Arratia, Albin Kurti Flet për Dënimin e Mlladiqit

I kërkuar nga autoritetet kosovare, deputeti Albin Kurti është lajmëruar nga arratia.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” nga një vend i panjohur, Kurti ka shkruar në lidhje me dënimin e sotëm me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

“Dënimi i kufizuar” e ka titulluar postimin e tij deputeti Kurti, për të cilin Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arresti.

http://kallxo.com/urdher-arrest-per-albin-kurtin-albulena-haxhiun-e-donika-kadajn/

Policia nuk e ka gjetur sot në banesë Albin Kurtin për ta dërguar në sallën e gjykimit për t’u gjykuar bashkë me kolegët e tij deputetë po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje për gazin lotsjellës të hedhur në Parlamentin e Kosovës.

Për këtë arsye, Gjykata lëshoi sot urdhër-arresti për të dhe koleget e tij Donika Kadaj-Bujupi e Albulena Haxhiu.

Në një shkrim të gjatë në “Facebook”, Kurti thotë se qëllimi i Serbisë ishte ndarja e njerëzve dhe popujve. “Jugosllavia u nis në fillim të shekullit XX dhe u rrënua në fund të shekullit XX, për të njëjtin qëllim: që Serbia të zgjerohej, të bëhej Serbi e Madhe. Para një shekulli, ku ishte një serb thuhej të ishte Serbi, andaj metoda ishte ajo e kolonizimit serb në Jugosllavi. Para një çerek shekulli, ku ishte një varr serb thuhej të ishte Serbi, andaj metoda ishte agresioni serb në republikat jugosllave”, ka shkruar Albin Kurti.

“Natyrisht se kjo (dënimi i Mlladiqit) është për t’u përshëndetur dhe viktimat e familjet e tyre sadopak ndjehen të kompensuara për humbjet e tyre ndonëse me shumë vonesë”, ka shkruar Kurti.

http://kallxo.com/gjykata-denon-mlladiqin/

Megjithatë, vazhdon ai, ka tri probleme të tjera, shumë më të thella. Së pari, nga ata mijëra ekzekutorë serbë të krimeve në Bosnje, numri i atyre të arrestuar, gjykuar e dënuar është veçse dyshifror. Së dyti, krijesa e gjenocidit Republika Serbe atje vetëm sa është forcuar. Së treti, ishte Serbia ajo që kishte bërë agresion në Bosnje dhe dhunë mbi boshnjakët e jo thjesht serbët e Bosnjes.