Nga 30 Vjet Burg Dy të Akuzuarve për Vrasje

Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu janë dënuar me nga 30 vjet burg për vrasjen e Naim Hajrizit në prillin e vitit 2009.

Nën masa të rrepta të sigurisë, me një kordon të krijuar në mes të familjeve të të akuzuarve dhe familjes së viktimës, në Gjykatën Themelore  në Prishtinë, u shpall aktgjykimi ndaj Gëzim Retkocerit dhe Osman Spahiut, të akuzuar për vrasjen e Naim Hajrizit.

Prokuroria akuzonte Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë goditur Naim Hajrizin me mjete të forta duke e mbytur.

Retkoceri dhe Spahiu gjatë gjithë kohës kundërshtuan se janë autorë të kësaj vrasjeje duke e konsideruar veten të pafajshëm.

Pas seancës Ramë Dreshaj, avokat i Osman Spahiut tha se beson që klienti i tij nuk është fajtor.

“Mbes pranë asaj që kjo vrasje është një vrasje makabre. Unë do t’i them dy fjalë vetëm për të mbrojturin tim Osman Spahiu dhe mbes pranë asaj që Osman Spahiu nuk është pjesëmarrës në këtë vrasje sepse me asnjë provë Prokuroria nuk ka mundur të materializojë tezën e vet sa I përket Osman Spahiut”, tha Dreshaj.

“Falë Zotit, ligji ka dhënë mundësinë që ekziston shkalla e parë, shkalla e dytë, janë një mori mjetesh juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme dhe besoj që drejtësia do të bjerë në vend,” tha Dreshaj.

Në seancën e 4 korrikut ku palët dhanë fjalën e tyre përfundimtare, prokurorja Fikrije Fejzullahu shprehu bindjen se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen dhe se për këtë do të dënohen.

Po më 4 korrik avokatët e të akuzuarve Fehmije Gashi-Bytyqi dhe Ramë Dreshaj kërkuan nga gjykata që klientët e tyre t’i lirojë nga akuza.

Fehmije Gashi-Bytyqi avokatja mbrojtëse e Gëzim Retkocerit kur foli për KALLXO.com më 2 qershor, u ankua se të akuzuarve të këtij procesi u janë shkelur të gjitha të drejtat pasi që shtatë vjet, nga viti 2009 për ta nuk është marrë ndonjë vendim gjykate.