Ministri Arban Abrashi - Foto: Facebook

Nga 150 Euro në Muaj për 600 Punëkërkuesit

Kjo ministri nëpërmejt angazhimit të një numri të  punëkërkuesve nga të gjitha komunat e Kosovës në ndërmarrjet kosovare synon që atyre t’ua përmirësojë aftësitë për punë.

“Trajnimi në punë është masë aktive e tregut të punës që synon t’ua mësojë pjesëmarrësve shkathtësitë, njohuritë dhe kompetencat të cilat janë të nevojshme për të kryer punë specifike brenda vendit të punës dhe mjedisit të punës,” thuhet në ftesën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në këtë projekt që do të zgjasë tre muaj ministria thotë se do të angazhohen 600 punëkërkues.

“Trajnimi në punë ofrohet kryesisht për punëtorët me shkathtësi të ulëta  dhe që janë të papunë afatgjatë. Projekti do të implementohet për një periudhë kohore tre (3) mujore. Do të angazhohen gjashtëqind (600) punëkërkues në të gjitha komunat e Kosovës,” njofton ministria.

Sipas ftesës për bizneset, përzgjedhja e ndërmarrjeve do të bëhet në bashkëpunim me odat ekonomike.

Kandidatët që përfitojnë nga projekti në fillim do të paguhen nga ndërmarrja, e më pas nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Procesi i aplikimit duhet të bëhet në zyrat e punësimit ku vepron ndërmarrja. Kandidatët të cilët do të përfitojnë nga projekti do të marrin një kompensim mujor prej njëqindepesëdhjetë (150) euro në muaj për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe ushqimit. Në muajin e parë duhet të kompensohen nga ndërmarrja, ndërsa në muajin e dytë (2) dhe tretë (3) nga MPMS-ja,” vazhdon komunikata.

Ministria e Punës inkurajon për aplikim edhe bizneset të cilat nuk kanë bashkëpunuar dhe nuk janë regjistruar në zyrat e punësimit.

“Të drejtë aplikimit kanë të gjitha ndërmarrjet nga sektori privat të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Ndërmarrjet të cilat nuk kanë bashkëpunuar me zyrat e punësimit më herët fillimisht duhet të regjistrohen, e mandej të aplikojnë për të përfituar nga projekti, “ thuhet në ftesën e kësaj ministrie.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), thotë se projekti do të zgjasë nga 1 qershori deri me 31 gusht dhe se afati për aplikim është deri me 15 maj.

Për marrëveshjen mes MPMS-së, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane për këta 600 punëkërkues KALLXO.com shkroi më 23 prill.

http://kallxo.com/praktika-si-mundesi-per-te-gjetur-pune/