Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com

Nesër Provimi Pranues në Nëntë Fakultete të UP-së

Nëntë fakultete të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nesër  do të mbajnë provimin pranues për studentët e rinj për vitin akademik 2017/2018.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, sekretari i UP-së, Esat Kelmendi.

Provimi do të fillojë nga ora 9:00 në Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës dhe Fakultetin e Edukimit.

Po ashtu në këtë datë do të mbahet provimi edhe në Fakultetin e  Arteve të Bukura dhe Fakultetin e Edukimit Fizik dhe i Sportit i cili do të vazhdojë edhe në ditën tjetër më 20 korrik.

Sekretari i UP-së, Esat Kelmendi tha se  këto fakultete janë në përgatitje të testeve që në mëngjesin e hershëm do të kompletohen dhe printohen për kandidatët për studentë të rinj.

“ Testet punohen sonte për këta që kanë provim nesër. Punohet gjatë gjithë natës nëpër karantinë, pastaj komisioni nesër i printon në mëngjes pak minuta para se të fillojë testi”, tha Kelmendi.

Por Kelmendi tha se do të ketë edhe sfida sidomos në përkthimin e testit në gjuhën turke për kandidatët nga komuniteti turk për shkak se nuk po gjejnë persona profesionistë që dinë edhe gjuhën turke, por edhe gjuhën shqipe.

“Nuk po kemi njerëz profesional që e dinë shumë mirë gjuhën shqipe dhe turke. Një prej Gjykatës Kushtetuese e kemi i cili ka kërkuar asistencë dhe nga punëtorët që e njohin gjuhën turke. Për gjuhën turke nuk kemi kuadër, sepse këta që janë në Departamentin e Turkologjisë nuk e njohin mirë gjuhën shqipe dhe nuk po mund të marrin rrezikun që të përkthejnë në mënyrë profesionale”, tha Kelmendi.

Gjatë ditës së sotme është mbyllur faza e aplikimit të kandidatët për studentë të rinj në vitin akademik 2017/2018.

Në dokumentet që posedon KALLXO.com, në Universitetin e Prishtinës këtë vit kanë aplikuar 14 mijë e 296 kandidatë, ndërsa numri i përcaktuar që UP do t’i pranojë është 6 mijë e 869.

Nga ajo që shihet, i bie se më shumë se dy studentë kanë aplikuar për një indeks në Universitetin e Prishtinës.

Për Fakultetin e Edukimit ka më së shumti interesim- 1 mijë e 981 kandidatë. Pas tij është Fakulteti i Mjekësisë ku kanë aplikuar 1 mijë e 928 kandidatë, i pasuar nga Ekonomiku me 1 mijë e 745 kandidatë dhe Filozofiku me 1 mijë e 704 kandidatë.

Në Fakultetin e Shkencave Matematiko- Natyrore kanë aplikuar 969 kandidatë, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 595, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 615 kandidatë.

Për studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike kanë konkurruar 267 kandidatë, Fakultetin e Arteve 467 kandidatë,  Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës 580 kandidatë, Fakultetin e Shkencave Sportive 501 kandidatë.

Prej 14 mijë e 296 kandidatëve , 13 mijë e 591 e kanë dorëzuar edhe dokumentacionin fizik.