Pamje nga mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Nesër Mblidhet Kryesia për Përgatitjen e Seancës Konstituive

Në komunikatën e dërguar për media, thuhet se kjo do të jetë pika e vetme e rendit të ditës.

Sipas Rregullores së Kuvendit, pas thirrjes së seancës nga Presidenti përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme.

“Kryetari dhe Kryesia jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive që kanë fituar vende në Kuvend për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike”, thuhet në nenin 8 të kësaj rregulloreje.

Tutje thuhet se rendi i ditës i mbledhjes konstituive të legjislaturës duhet ta përfshijë formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, të mandateve, zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Punimet e mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit i udhëheq deputeti më i vjetër sipas moshës, i ndihmuar nga deputeti më i ri.

Kryesia e vjetër e Kuvendit do të mblidhet nesër pasi sot Presidenti Hashim Thaçi caktoi 3 gushtin si datën e mbajtje së seancës konstituive.