Nesër Masa e Sigurisë për të Arrestuarit

Gjykata Themelore nesër do të vendosë për masën e sigurisë që do të vendoset ndaj 6 personave të arrestuar sot në kuadër të operacionit të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it kundër grupit të quajtur kriminal, i drejtuar nga deputeti Azem Syla.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Bajram Tmava, avokat i njërit prej personave të arrestuar.

Në operacionin e gjerë të bastisjeve në 42 lokacione të ndryshme janë arrestuar këta persona: Artan Villa, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu dhe Avni Maxhuni.

Azem Syla, emri më i njohur në mesin e të dyshuarve, nuk është kapur ende nga organet e rendit.

Prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccareli, ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjashtë të arrestuarve të sotëm t’u caktohet masë paraburgimi.