Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së. Foto: Kallxo.com

Nesër Marsh Protestues për Ramush Haradinajn

Zyrtarë të AAK-së kanë njoftuar për një marsh protestues që do të organizohet nesër në Prishtinë, ku do të kërkohet lirimi i liderit të tyre, Ramush Haradinaj, i arrestuar dje në Francë.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, zyrtari i kësaj partie, Argjend Zejnaj, ka thënë se marshi do të nisë në qendër të kryeqytetit, te monumenti “NEWBORN”, në ora 13:00.

Sipas Zejnajt, marshi protestues do të jetë kundër vendimit për ndalimin e ish-kryeministrit e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga shteti francez bazuar në një fletarrest të Serbisë.

Një gjykatë franceze vendosi sot ta dërgojë Ramush Haradinajn në paraburgim në pritje të një kërkese formale nga Serbia për ekstradimin e tij.

Autoritetet serbe e akuzojnë ish-komandantin e UÇK-së për Zonën e Dukagjinit për krime të supozuara lufte, të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99.

http://kallxo.com/franca-e-mban-haradinajn-ne-paraburgim/