Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu - Foto: Facebook

Nesër Fillojnë Gërmimet për Varrezë Masive te ish-Xhamia e Ibrit

Që nga paslufta është folur për mundësinë e ekzistimit të një varreze masive me trupa shqiptarësh te Xhamia e rrënuar e Ibrit, lokacion që gjendet në veri të Mitrovicës. Këto dyshime do të vërtetohen ose të demantohen pas gërmimeve që do të nisin nesër.

Lajmin për fillimin e gërmimeve në këtë lokacion e konfirmoi drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

“Që nga viti 1999 e më tutje është përfolur se aty mund të ketë trupa të shqiptarëve të vrarë meqë në atë xhami kanë futur shumë shqiptarë të cilët janë rrahur dhe torturuar. Ky është një dyshim i cili nuk ka ardhur nga një burim por nga burime të shumta të njerëzve si dhe Shoqata e Familjarëve të Mitrovicës vazhdimisht ka insistuar që kjo pjesë të gërmohet”, theksoi Gërxhaliu.

Arsim Gërxhaliu theksoi se arsye pse nuk kishin filluar gërmimet deri më tash janë rrethanat politike dhe teknike në Veri.

“Duke i marrë parasysh rrethanat në Kosovë disa herë kemi tentuar t’i qasemi këtij lokacioni, por për shkak të problemeve të shumta politike që kanë qenë me pjesën e veriut jemi detyruar që shpesh t’i anulojmë edhe datat kur kemi planifikuar të gërmojmë. Por, ja tani, më 16 shkurt 2017, do të shkojmë dhe do të kontrollojmë terrenin dhe do të e fshijmë njëherë e përgjithmonë dilemën se a do të ketë apo nuk do të ketë trupa shqiptarësh”, shtoi Gërxhaliu.

Ndërkaq, zyrtarja për informim e EULEX-it, Besa Domi, ka thënë për KALLXO.com se fillimi i gërmimeve mund të ndodhë ditëve në vijim, duke mos dhënë një datë specifike.

Se gërmimet do të fillojnë nesër e konfirmoi edhe përfaqësuesi i Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini.

“Gërmimet do të fillojnë në orën 10:00, ndërkaq punët teknike në orën 10:30”, tha Qerkini për KALLXO.com.

Xhamia afër lumit Ibër është djegur nga forcat serbe më 1999, e më 2 maj të atij viti është rrafshuar me ekskavatorë.