Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Nëntë Vjet Burg për Vrasjen e Gjyshit

Në aktakuzën e ngritur para gjashtë ditëve nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hivzi Bajraktari, Kastrati akuzohej se në natën mes 27 dhe 28 nëntorit 2015 e ka privuar nga jeta gjyshin e tij Ismajlin.

Aktakuza thotë se ngjarja e rëndë kishte ndodhur përderisa i ndjeri Ismajl Kastrati ishte në gjumë në shtëpinë e tij ndërsa Shpend Kastrati “në gjendje me llogaritshmëri esenciale të zvogëluar… me mjet të fortë të paidentifikuar e kishte goditur në pjesën tëmthore të majtë të kokës rreth 3.5 centimetra mbi vesh duke i shkaktuar plagë shqyese pranë njëra- tjetrës”.

Aktakuza thotë se nga plagët e marra kishin shkaktuar “gjakderdhje masive trunore… të shoqëruara me thyerje të eshtrave të kafkës” të cilat i kishin sjellë vdekjen viktimës në vend të ngjarjes.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, trupi gjykues njëzëri vendosi që të akuzuarin Shpend Kastrati ta shpallë fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Bashkë me dënimin prej 9 vitesh burg, Shpend Kastrati i është dhënë edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim ne institucionin e kujdesit shëndetësor.