Nënshkrimi i Marrëveshjes për Sigurimet Sociale me Belgjikën – Foto: Facebook

Nënshkruhet Marrëveshje për Sigurime Sociale me Belgjikën

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka nënshkruar sot në Bruksel Marrëveshjen për Sigurime Sociale me homologen e tij, ministren e Çështjeve Sociale dhe Shëndetit Publik, Dr. Maggie De Block.

Kjo është marrëveshja e parë ndërkombëtare për Sigurime Sociale, nga e cila përfitojnë direkt qytetarët kosovarë, që kanë punuar dhe vepruar në Mbretërinë e Belgjikës.

Siç njofton Nisma Socialdemokrate, ministri Reçica ka falënderuar Qeverinë belge, veçanërisht ministren De Block, për përkushtimin e saj si dhe grupin e ekspertëve për punën e tyre të shkëlqyer.

“Ministri Reçica theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje përkon edhe me 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo ngjarje sikur e përmbush edhe më shumë këtë festë duke shtuar se, kjo është një marrëveshje me një shtet mik, i cili po tregon se Kosova është partner i barabartë”, thuhet në njoftimin e Nismës.

Gjithashtu, ministrja De Block theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje duke cekur se nga kjo do të përfitojnë qytetarët e dyja vendeve, në fushën e sigurimeve dhe mbrojtjes sociale.

“Me këtë marrëveshje të nënshkruar sot, Kosovës i është hapur rruga që së shpejti të lidhë të tilla marrëveshje edhe me shtete të tjera, aty ku qytetarët tanë kanë vepruar dhe derdhur djersën e tyre”, thuhet në njoftim.