Marrëveshja me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit | Foto: Facebook

Nënshkruhet Marrëveshja për 49 Milionët nga Amerika

Udhëheqësi në detyrë i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit Jonathan Nash nënshkroi marrëveshjen me Presidentin Thaçi për ndarjen e 49 milionë dollarëve nga kjo korporatë për Kosovën.

Kosova paratë nga Amerika do t’i përdorë për efiçiencë energjie, ambient dhe sundim të ligjit.

Nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sidave të Mijëvjeëarit Thaçi e cilësoi një faqe të re në raportet mes Amerikës dhe Kosovës.

“Marrëveshjen investuese që e nënshkruam me udhëheqësin në detyrë të MCC-së, Jonathan Nash, prej 49 milionë dollarëve në Uashington, do të hapë një faqe të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit”, shkroi Thaçi në Facebook.

Ai marrëveshjen më tutje e cilësoi një mjet të ri shumë të fuqishëm të mbështetjes për qytetarët e Kosovës.

Thaçi pastaj falënderoi Amerikën për ndihmën, ndërsa i bëri thirrje qeverisë të punojë që kjo marrëveshje të jetë arsye për festë.

Nënshkrimin e marrëveshjes e kishte paralajmëruar ish-kryeministri në detyrë Isa Mustafa më 31 gusht.

http://kallxo.com/ne-shtator-marreveshja-per-50-milionet-nga-amerika/

Gazeta Jeta në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar kishte zbuluar se Kosova nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në fillim ishte kualifikuar për Programin Compact, por më pas kishte rënë në një shkallë më të ulët – në Programin “MCC Threshold”, për shkak të mos-luftimit të korrupsionit.

Korrupsioni ia Humb Kosovës Milionat e Premtuara nga Amerika

Nga Programi Compact shteti i Nepalit përfitoi 500 milionë euro.

Në arsyetimin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për mjetet e ndara Nepalit, thuhet se qeveria e këtij shteti tregoi përkushtim të fuqishëm për sundim të ligjit, të drejta demokratike dhe investim në njerëzit e saj.