Nënshkruhet Kontratë për Studimin e Fizibilitetit të ‘Trepçës‘

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka nënshkruar kontratë me kompaninë gjermane “HPC” në konzorcium me kompaninë me renome botërore “Ernst & Young” për ofrim të shërbimeve profesionale për zbatim të studimit të fizibilitetit të “Trepçës” me orientim strategjik për zhvillim të saj me çmim prej 598,920 euro.

Sipas AKP-së, kontrata ishte paraparë të nënshkruhej në fillim të korrikut por lidhja e kontratës është shtyrë për shkak të një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Studimi i fizibilitetit shtrihet në dy fusha, në zhvillimin e mëtutjeshëm të Trepçës duke u mbështetur në gjendjen aktuale, zhvillimet e reja të tregut, të teknologjisë dhe përvojave të reja të modeleve biznesore për eksploatim të xeheve e deri në produkt final; si dhe do të ofroj rekomandime për qasje strategjike lidhur me zbatim të aktiviteteve të reja me vlerë të shtuar”, thuhet në një komunikatë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sipas AKP-së, veç tjerash, ky studim do të ofrojë rekomandime lidhur me alternativat më të mira për revitalizim dhe transformim të “Trepçës”, po ashtu do t’u ofrojë investitorëve potencialë të dhënat e nevojshme dhe informacione për investimet e ardhshme.

Agjencia, shkruan në komunikatë, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës dhe ka bashkërenditur veprimet e saja për të arritur nënshkrimin e kësaj marrëveshje me kohë. “AKP dhe Trepça kanë kryer tashmë një pjesë të punëve, duke përfshirë këtu analizën preliminare të kërkesave kreditore, regjistrimin e pasurisë së ndërmarrjes, dhe raportin mbi vlerësimin e rezervave minerare”, thuhet në komunikatë.

“Ky studim do t’i paraprijë planit të riorganizimit të ndërmarrjes Trepça, përderisa Bordi dhe menaxhmenti i AKP-së mbesin plotësisht të përkushtuar dhe zotohen se do të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm përbrenda kompetencave dhe autorizimeve të tyre për të përfunduar me sukses këtë objektivë si dhe për të arritur një zgjidhje përfundimtare sa më të favorshme për ardhmërinë e ndërmarrjes Trepça”, përfundon komunikata.

Dy javë më herët, “Gazeta Jeta në Kosovë“ shkroi se si ndërmarrja “Trepça” rrezikonte të shkonte në likuidim e pastaj për të të vendosnin të tjerët.

Shteti Rrezikon Trepçën