Nënshkruhet Kontrata për Autostradën e Gjilanit

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka vënë nënshkrimin final që jep dritën e gjelbër për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

Këtë nënshkrim ai e ka bërë në prezencën e dy deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që vijnë nga Gjilani, Zenun Pajaziti dhe Ahmet Isufi, pa prezencën e Kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në postimin që Lekaj e bëri në Facebook, ai ka deklaruar se me këtë kontratë qeveria ka kursyer në çmim.

“Nga çmimi fillestar për ketë projekt, buxhetit të Republikës së Kosovës i janë kursyer mbi 12 milion euro, të holla këto që tashmë mund të alokohen për projekte të tjera. Poashtu nga sa janë planifikuar të shpenzohen si çmim i projektit, mbi 41 milion euro më pakë kushtojnë kontratat e tetë operatorëve ekonomik”, shkroi Lekaj.

Ai po ashtu ka thënë se qeveria, përkatëisht ministria e tij nuk do të veprojë në baza partiake për shpërndarjen e projekteve nëpër komuna.

“Ashtu siç e kam thënë nga fillimi, nuk kemi ardhur në qeveri, respektivisht në Ministrinë e Infrastrukturës për të bollkuar asnjë projekt mbi baza elektorale e partiake, siç na janë referuar ish-qeveria në vazhdimësi, që sot janë në opozitë. Do të jemi të barabartë për të gjitha komunat dhe tërë Kosovën do ta trajtojmë njëjtë në kuptimin e shpërndarjes së projekteve infrastrukturore”, tha ai.

‘Gazeta Jeta në Kosovë’, ka raportuar lidhur me rrugëtimin e tenderit për autostradën e Gjilanit nëpër autoritetet e prokurimit pas ankesave të shumta të operatorëve ekonomikë konkurues për këtë tender.

Tetë kompani të pakënaqura me vendimin e Gjykatës së Tenderëve janë bashkuar për të kërkuar pezullimin e tenderit 66 milionësh, duke dërguar shkresa në Gjykatën Supreme, Prokurorinë e Shtetit, në EULEX dhe te Kryeministri i Kosovës. Ato pretendojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe OSHP-ja kanë bërë shkelje ligjore.

Vendimi i Dyshimtë i OSHP-së për Autostradën për Gjilan