Nënkalimi në Vragoli. Foto: Kallxo.com

Nënkalimi në Vragoli, Problem për Banorë e Automjete

Saherë rriten të reshurat, banorët kanë telashe me përdorimin e nënkalimit në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës.

Mehdi Dervisholli nga ky fshat e ka të vështirë të kalojë këmbë apo me veturë këto ditë për shkak se ujërat janë mbledhur nën urën që gjendet në rrugën magjistrale Prishtinë- Pejë.

Ai thotë se gjendja vetëm sa po përkeqësohet.

“Ky problem nuk është i kohës së tashme, është prej kur është bërë rruga. Ne si qytetarë kemi bërë disa herë kërkesa peticione me qytetar qysh në Ministri të Infrastrukturës edhe kurrë s’kanë marrë asnjë masë”, tha Dervisholli.

Ai shtoi se Ministria e Infrastrukturës asnjëherë nuk ka vizituar atë pjesë.

“Asnjëherë nuk ka qenë ministria e infrastrukturës për të shikuar gjendjen”, tha ai.

Sipas Dervishollit, për të dalë në rrugë kryesore, banorët e asaj zone duhet të përdorin mënyra të tjera duke ecur rreth e rreth fshatit.

“Në rrugë kryesore duhet me dalë vetëm në këmbë, me vetura kur ta shohim që po grumbullohet uji veturat duhet me i lon në anën tjetër”, tha ai.

Sipas përfaqësuesit të fshatit, gjendja e keqe e nënkalimit të automjeteve në Vragoli, ka ardhur si pasojë e mos projektimit të mirë të kësaj pjese.

“Këtë kur e kanë bo në fillim kur është bërë ura, është bërë gabim edhe s’na kanë dëgjuar asnjëherë, nuk kanë qenë në vend të ngjarjes kurrë dhe i kemi tregu që ura duhet me shku ma nalt. Ata s’na kanë kuptu edhe që zgjidhja është qysh është”, tha ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës por kjo e fundit nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me këtë rast.