Portreti i Nënë Terezës | Foto: KALLXO.com

Nënë Tereza e Buzëqeshur e Stratit për 28 Nëntor

Portreti në përfundim i fytyrës së buzëqeshur të Nënë Terezës, punuar me 1.5 milionë kopsa teli nga mjeshtri i mozaikëve Saimir Strati do të mbetet në Muzeun e Kosovës si dhuratë e artistit për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Me këtë portret artisti synon hyrjen për herë të dhjetë në Librin e Rekordeve Guinness, ndërsa tregon se materiali me të cilin punon nuk i jep shumë mundësi, pasi kopsat e telit janë vetëm të bardha dhe të kafta.

Koha e përcaktuar për punë ishte nga data 1 deri me datën 30 nëntor kur edhe Saimir Strati do t’i dorëzojë të gjitha dokumentacionet për veprën e tij në Londër, por ai synon përfundimin e punës dy ditë më herët.

“Po punoj nga 12 orë në ditë vetëm e vetëm që vepra të jetë gati për 28 Nëntor,” tha për KALLXO.com rekordmeni i Librit Guinness, Saimir Strati.

Pranë portretit të Nënës Terezë mjeshtri Strati ka vendosur thënien “Paqja Fillon me një Buzëqeshje” që thotë se i përshtatet mozaikut që po krijon me fytyrën e qeshur të shenjtores shqiptare.

Kjo vepër po shkon drejt përfundimit pas më shumë se 20 ditëve punë.

“Ҫdo goditje është një thirrje për paqe,” tha Strati kur foli për mënyrën se si vendosen kopsat, pasi me ҫdo goditje në platformën e drurit vendoset një kopsë teli.

Punën e tij në këtë ditë të ftohtë nëntori kishin ardhur ta shikojnë fëmijë të shumtë me mësueset e tyre. Kjo nuk e pengon artistin që të gjitha veprat e tij i ka krijuar i rrethuar nga ata që e vlerësojnë.

Por duke folur për teknikën e punës, mjeshtri shpjegoi se është tridimensionale-një ndër teknikat më të vështira me të cilat ka punuar në të gjitha veprat e tij.

Megjithatë, ai nuk ndihet i lodhur.

“Dora me punë të bukura dhe goja me fjalë të mira nuk lodhen kurrë,” tha Strati kur foli për vështirësinë dhe kënaqësinë që e ndien gjatë punimit të kësaj vepreje.

saimir-strati-1

Madhësia e portretit të Nënës Terezë është 10 metra katrorë, ndërsa Strati tregon se zgjodhi ta ndërtojë fytyrën e saj, ngase sivjet ndihmuesja e të varfërve u shenjtërua.

Nënë Tereza u shpall e shenjtë nga selia e Kishës Katolike në Vatikan gjatë muajit shtator.

Saimir Strati tha se vendosi që këtë vepër ta punonte në Kosovë pasi mori ftesën nga drejtori i Muzeut të Kosovës Skender Boshtrakaj dhe pasi sipas disa studiuesve dhe disa historianëve vendlindja e Nënës Terezë është Kosova.

Dy deri në katër javë pas 30 nëntorit, datës zyrtare të përfundimit të afatit të punimit të kësaj vepreje me portretin e Nënës Terezë, do të kthehet përgjigjja nga Londra dhe do të bëhet certifikimi i Saimir Stratit nga përfaqësues të Librit të Rekordeve Guinness në Muzeun e Kosovës para veprës së tij.

Por ky nuk është tentimi i parë i Stratit për të hyrë në librin e rekordeve.

Vepra e parë me të cilën Saimir Strati u bë pjesë e librit të Rekordeve Guinness ishte mozaiku më i madh në botë me gozhda industriale në vitin 2006.

Në vitin 2007 ai realizoi mozaikun më të madh me kunja dhëmbësh, në vitin 2008 Saimir Strati u bë pjesë e librit të rekordeve me mozaikun më të madh me tapa, kurse në vitin 2009 ai e punoi mozaikun më të madh në botë me penela.

Në vitin 2010 mjeshtri Strati realizoi mozaikun më të madh në botë me vida, më rekorde ai vazhdoi edhe në vitin 2011 kur realizoi mozaikun më të madh me kokrra kafeje, pastaj në vitin 2012 mozaiku më i madh në botë u punua me fasule.

Ndërsa në vitin 2014 Saimir Strati realizoi dy vepra me të cilat u bë pjesë e Librit të Rekordeve Guinness, mozaikun më të madh në botë të realizuar me pipa plastike dhe mozaikun më të madh në botë të realizuar me tapa.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri